Qeveria ka vendosur të shtyjë sërish afatin për shqyrtimin e dosjeve të pronave dhe kompensimin për ish-pronarët.
Pas mbledhjes së sotme, në një dalje për mediat, ministri Ulsi Manja tha se qeveria vendosi të shtyjë deri në dhjetor 2027 shqyrtimin e dosjeve, ndërsa afati i kompensimit të ish-pronarëve u shty deri në vitin 2028.
Manja tha gjithashtu se me miratimin e buxhetit 2025, është parashikuar një fond kompensimi për ish-pronarët, deri në vitin 2028. “Dy lajme të mira për ish-pronarët. Sapo kaluam në mbledhjen e Këshillit të Ministrave një ndryshim në Ligjin 133 të vitit 2015 për përfundimin e proceseve të pronës dhe kompensimin e ish-pronarëve.
Janë dy ndryshime që lidhen me shtyrjen e afatit për ndryshimin, vlerësimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Sa i takon shqyrtimit dhe vlerësimit të dosjeve të patrajtuara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, afati sipas ligjit mbaronte në dhjetor 2024, por ne kemi vendosur që të ndryshojmë Ligjin 133 të vitit 2015, duke e çuar afatin e vlerësimit dhe shqyrtimit të dosjeve të patrajtuara nga ATP deri në dhjetor të vitit 2027,” tha Manja.
Ministri i Drejtësisë theksoi gjithashtu se afati i kompensimit në vlerë të ish-pronarëve do të shtyhet deri në dhjetor 2028.
“Janë dy ndryshime shumë të rëndësishme sepse, e para, i jep mundësinë ATP-së që të shprehet për mundësinë e trajtimit të 7110 dosjeve të patrajtuara të ish-pronarëve dhe deri në fund të 2028-ës një numër i konsiderueshëm i ish-pronarëve të kompensohen edhe në vlerë financiare. Siç jeni në dijeni nga akti i miratimit të buxhetit për vitin 2025 në afatmesëm kemi parashikuar rreth tre miliardë lekë deri në vitin 2025 për kompensimin e ish-pronarëve, në vitin 2026-2027 është parashikuar 5,3 miliardë lekë dhe për vitin 2028 që është viti i fundit masa do të jetë 7,63 miliardë lekë,” deklaroi Ministri.