Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka hedhur për konsultim publik Strategjinë e re Kombëtare për Sigurinë Kibernetike për periudhën 2025–2030, një dokument që sipas AKSK synon të përforcojë sigurinë digjitale të vendit në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Strategjia është ndërtuar mbi pesë shtylla kryesore: mbrojtjen e infrastrukturës digjitale, sigurinë e qytetarëve dhe edukimin për rreziqet online, bashkëpunimin ndërkombëtar, promovimin e kërkimit dhe inovacionit dhe përballimin e kërcënimeve hibride.
Strategjia vjen si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të kërcënimeve kibernetike që ka përjetuar Shqipëria në vitet e fundit, përfshirë sulme ndaj institucioneve shtetërore, infrastrukturës kritike dhe platformave të shërbimeve publike.
Dokumenti vë në dukje se kërcënimet nuk kufizohen vetëm në aspektin teknik, por përfshijnë edhe manipulimin e informacionit, sulmet hibride dhe aktivitetet kriminale online që targetojnë qytetarët, bizneset dhe institucionet.
Strategjia synon që të gjitha institucionet shtetërore dhe operatorët e shërbimeve kritike të kenë një strukturë të brendshme për sigurinë kibernetike, si dhe të realizohet certifikimi i detyrueshëm i profesionistëve të IT në sektorin publik. Gjithashtu ndër objektiva kryesorë janë edhe që çdo qytetar shqiptar do të ketë mundësinë të përfitojë nga edukimi bazë për sigurinë digjitale, si dhe Shqipëria të marrë pjesë aktive në mekanizmat rajonalë dhe evropianë të reagimit të shpejtë ndaj incidenteve kibernetike.
Plani i Veprimit për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2027 parashikon një angazhim të jashtëzakonshëm financiar për forcimin e infrastrukturës digjitale të vendit, me një total prej mbi 6.7 miliardë lekësh.
Shpenzimet janë të shpërndara në pesë politika kryesore, me fokus të veçantë te mbrojtja e infrastrukturës digjitale, ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, promovimi i inovacionit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. /ekofin.al
