Mbi 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje, ndërsa 150 apartamente të ndërtuara presin përfundimin e procedurave për shpërndarje. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, kërkon ndërhyrje financiare nga buxheti i qeverisë qendrore.
Përfundimi i rindërtimit në Kombinat është vendosur si prioritet për ndërhyrje të përshpejtuar institucionale, pas shtatë vitesh pritje nga familjet e prekura nga tërmeti.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilluan një vizitë në Njësinë 6, ku kërkuan përshpejtimin e procedurave për përfundimin e procesit dhe shpërndarjen e banesave të reja.
Deri tani, në Kombinat janë shpërndarë mbi 340 apartamente, ndërsa rreth 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin të marrin banesat e tyre.
“Procedurat kanë nisur, por ritmi është shumë i ngadaltë. Kanë kaluar shtatë vite, ne duhet të marrim masat, ta përmbyllim këtë proces me ritëm shumë të shpejtë”, deklaroi Koçiu.
## Demo: Financim nga buxheti i qeverisë qendrore
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, deklaroi se do të ndërhyhet për financim nga buxheti i qeverisë qendrore, me synim përshpejtimin e rindërtimit dhe dhënien e një zgjidhjeje përfundimtare familjeve që vijojnë të presin.
“Njerëzit kanë të drejtë, pas kalimit të gjithë këtyre viteve, tashmë shtatë vite, ne duhet t’u japim një përgjigje përfundimtare”, u shpreh Demo.
Ndërhyrja do të fokusohet në dy drejtime: përfundimin e apartamenteve të ndërtuara dhe përgatitjen e shesheve të reja për familjet që ende nuk kanë marrë banesat e tyre.
## 150 apartamente të ndërtuara, 223 të tjera në plan
Në Kombinat janë aktualisht rreth 150 apartamente të ndërtuara. Prej tyre, 75 janë në pritje të procesit të shortit, ndërsa për pjesën tjetër vijojnë ndërhyrjet për ujësjellës-kanalizimet, me qëllim përfundimin dhe kalimin në fazën e shpërndarjes.
Ndërkohë, në një tjetër shesh ndërtimi ku procedura e prokurimit ka përfunduar, pritet të ndërtohen 223 apartamente të reja. Gjithashtu, ka nisur procedura për ndërtimin e 100 apartamenteve të tjera.
Demo theksoi se zgjidhja e problematikave të lidhjeve me OSHEE-në dhe ujësjellësin do të jetë pjesë e ndërhyrjes për përfundimin sa më shpejt të banesave të ndërtuara.
Zv.kryeministrja Koçiu nënvizoi se respektimi i kërkesave ligjore mbetet i domosdoshëm, por nuk duhet të shndërrohet në arsye për zvarritje të mëtejshme.
“Bashkërisht, do të duhet që ta shtyjmë sa më shpejt këtë proces, të marrë fund këtu edhe në të gjithë Bashkinë e Tiranës”, u shpreh Koçiu.
