Qeveria parashikon një fond prej 6.45 miliardë lekësh për të zbaruar Planin e Veprimit të Arsimit Digjital 2025-2030, duke përfshirë standardet për arritjen e kompetencës digjitale. Dokumenti, i hedhur në konsultim publik nga Ministria e Arsimit, synon të nxisë edukimin digjital, të përgatisë fuqinë punëtore të së ardhmes, si dhe të përmirësojë metodat e të nxënit përmes teknologjisë.
Mekanizmi për njohjen e krediteve të kurseve online
Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021–2026, synohet krijimi i mekanizmave për njohjen e krediteve nga Kurset Masive të Hapura Online (MOOCs), në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Masa përfshin përditësimin e akteve rregullatore, hartëzimin e nevojave të tregut në bashkëpunim me institucionet përkatëse, si dhe bashkëpunime me ofrues të njohur ndërkombëtarë të MOOC-ve. Studentët do të mund të fitojnë kredite për kurse cilësore, veçanërisht në fusha si inteligjenca artificiale dhe siguria kibernetike, duke rritur aftësitë e tyre për punësim. Ky objektiv synon të sigurojë që Institucionet e Arsimit të Lartë të ofrojnë programe që janë më të orientuara drejt nevojave të industrisë dhe punës, duke rritur kështu mundësitë për punësim të të diplomuarve.
Shembuj nga vende si Franca, Austria dhe Koreja e Jugut tregojnë se integrimi i MOOC-ve në arsimin e lartë përmes platformave kombëtare ka rritur ndjeshëm aksesin dhe përfshirjen. Po ashtu, partneritete si ai mes Universitetit Mapúa dhe Coursera-s tregojnë potencialin e certifikatave të njohura nga tregu i punës. Për këtë nismë, është planifikuar një fond prej 4 milionë lekësh për hartimin e udhërrëfyesit deri në vitin 2029.
Platforma AI për mësim të personalizuar
Një prej nisma që spikat është edhe përdorimi i platformave të mbështetura nga inteligjenca artificiale për të mundësuar mësimin e personalizuar. Kjo qasje synon përshtatjen e përmbajtjes mësimore sipas nevojave individuale të nxënësve, përmirësimin e përvojës së të nxënit dhe rritjen e angazhimit e rezultateve arsimore.
Platformat me AI do të ofrojnë ushtrime të personalizuara, feedback të menjëhershëm dhe mbështetje të synuar, duke ndihmuar mësuesit të ndërhyjnë në kohë. Zbatimi do të bëhet në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave dhe standardet etike, me qëllim ndërtimin e një arsimi më cilësor, gjithëpërfshirës dhe efikas. Kjo nismë ka një kosto prej 2 milionë lekësh.
Modernizimi i infrastrukturës arsimore
Për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore digjitale parashikohet rrjeti i 654 laboratorëve smart në 615 shkolla, një projekt që mbështetet nga Banka Botërore dhe Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës (CEB) me një kosto 3.47 miliardë.
Gjithashtu, pjesë e planit janë pajisja me 5,500 kompjuterë portativë (laptopë) për mësuesit e gjimnazeve në kuadër të Programit Operacional Shumëvjeçar “Ekonomia dhe Shoqëria Digjitale 2024–2027”. Objektivi ka një vlerë 550 milionë lekë dhe do të mbështetet nga fondet IPA.
Po kështu, Plani parashikon internet me brez të gjerë & Wi-fi me një shumë totale 325 milionë lekë ose 4,333 euro/shkollë, si dhe furnizimin e klasave me tabela interaktive (smartboard) me vlerë 600 milionë lekë, të cilët do të financohen nga buxheti i shtetit dhe donatorët. /ekofin.al
