Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024 ecuria e nivelit të shitjeve dhe e rezultatit financiar i ndërmarrjeve ka qenë pozitive dhe në rritje krahasuar me periudhën e vitit të kaluar.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë i ndërmarrjeve për gjashtëmujorin e dytë 2024 u realizua nëpërmjet një kampioni prej 1366 ndërmarrjesh të madhësive të ndryshme të shtrira gjeografikisht në të gjithë vendin dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në sektorët kryesorë të ekonomisë.
Sipas të dhënave, të tria grupet e ndërmarrjeve kanë raportuar rritje të rezultatit financiar, më e theksuar në rastin e ndërmarrjeve të mëdha dhe atyre të mesme.
Rreth 93% e totalit të ndërmarrjeve kanë raportuar fitim gjatë periudhës, por kjo peshë ka rënë krahasuar me periudhën e kaluar, e ardhur nga të tre grupet e ndërmarrjeve. Numrin më të lartë të ndërmarrjeve me fitim e ka grupi i ndërmarrjeve të mëdha (rreth 94%).
Këto pritshmëri kanë rezultuar disi në rënie krahasuar me periudhën e kaluar, por kanë mbetur mbi vlerat e një viti më parë, veçanërisht në grupin e ndërmarrjeve të mëdha. Sinjalet vijojnë të jenë optimiste lidhur me zgjerimin e veprimtarisë apo rritjen e investimeve veçanërisht në grupin e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha.
Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024, rreth 62% e ndërmarrjeve kanë vijuar të financojnë veprimtarinë e tyre vetëm nëpërmjet shitjeve (rreth 72% e ndërmarrjeve të vogla, 65% e ndërmarrjeve të mesme dhe 57% e ndërmarrjeve të mëdha), duke shënuar rritje për të tri kategoritë e ndërmarrjeve.
Ndërkohë, prirja e kombinimit të burimeve të financimit vijon të zërë një peshë të konsiderueshme për periudhën, por ka shënuar rënie krahasuar me periudhën e kaluar, për të tria grupet e ndërmarrjeve. Euroizimi i veprimtarisë së ndërmarrjeve paraqitet përgjithësisht i kontrolluar (26% e ndërmarrjeve) dhe ka shënuar një rënie të lehtë në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë.
Ndërmarrjet e mëdha vijojnë të kenë peshën më të lartë të përdorimit të valutës në veprimtarinë e tyre (rreth 31% e ndërmarrjeve), pasuar nga ndërmarrjet e mesme (24% e ndërmarrjeve) dhe ndërmarrjet e vogla (13% e ndërmarrjeve). Krahasuar me periudhën e kaluar, këto pesha kanë shënuar rritje në rastin e ndërmarjeve të mesme dhe të vogla, dhe rënie në rastin e ndërmarrjeve të mëdha./ekofin.al
