Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, cilësia e portofolit të kredisë në sektorin bankar ka shënuar përmirësim, me raportin e kredive me probleme që ra në 4.0%, nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredive me probleme u rrit me rreth 1 miliard lekë ose 3%, në nivelin e 36 miliardë lekëve. Rritja e stokut të kredive me probleme gjatë periudhës është vënë re në të gjithë portofolin e kredisë, por ishte disi më e lartë në portofolin e kredisë në Lek, kredisë afatgjatë dhe kredisë për individë. Në këtë ecuri ka ndikuar kalimi i kredive drejt klasave më pak performuese, i pasqyruar në zgjerimin e stokut të kredisë në klasën e kredive “nënstandard”, si pasojë e ritmit më të ngadaltë të shlyerjeve të kredive me probleme.
Gjatë periudhës, teprica e kredive të klasifikuara si “të humbura” u tkurr me 4 miliardë lekë, kryesisht si rezultat i ritmit më të lartë të fshirjeve krahasuar me një periudhë më parë. Rritja më e shpejtë e tepricës së kredisë në raport me atë të stokut të kredive me probleme gjatë periudhës, solli rënien e lehtë të raportit të kredive me probleme (RKP) në nivelin 4%, nga 4.2% në fund të vitit 2024.
Në krahasim me një vit më parë, stoku i kredive me probleme ka rënë, dhe RKP-ja është më e ulët me rreth 0.7 pikë përqindjeje.
Struktura e kredive me probleme është ndikuar nga fshirjet e tyre, që kanë qenë të larta gjatë periudhës. Kështu, vlera e kredive të humbura të fshira gjatë 12 muajve të fundit vlerësohet në rreth 6 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e kredive të fshira ishin kredi në monedhën vendase të mbajtura nga sektori i biznesit. Brenda portofolit të kredive me probleme, bankat kanë raportuar rritje të tepricës për klasën e kredisë nënstandard, e cila zë 35% të kredive me probleme nga 21% në dhjetor 2024. Pavarësisht fshirjeve të kredive të humbura, kjo klasë vijon të mbajë peshën kryesore në portofolin e kredive me probleme me 51% (nga 63% në fund të dhjetorit 2024). Gjatë periudhës janar 2015 – qershor 2025, bankat kanë fshirë nga bilancet e tyre rreth 87 miliardë lekë kredi të humbura, thekson raporti.
Ajo që bie në sy në nivel grupesh, bankat me kapital shqiptar kanë një nivel më të lartë të raportit të kredive me probleme krahasuar me grupet e bankave të tjera. Në fund të periudhës, raporti i kredive me probleme për bankat me kapital shqiptar ishte 4.7%, për bankat me kapital nga Bashkimi Evropian ishte 3.6% dhe për bankat e tjera ishte 3.1%. Ky tregues për bankat me rëndësi sistemike mban vlerën 4.4%, ndërsa për grupin e bankave të tjera ai shënon 3.4%.
Në 10 vitet e fundit, përmirësimin më të dukshëm të cilësisë së portofolit të kredisë e kanë shënuar bankat evropiane, për të cilat raporti i kredive me probleme ka zbritur nga 27% në vitin 2014 në 3.6% për gjysmën e parë të vitit 2025. Shpërndarja e raportit të kredive me probleme tregon se ky raport është kryesisht i përqendruar në intervalin 3%-4%, ndërkohë që aktivet e bankave me një raport më të ulët sesa 4% janë sa 60% e aktiveve të përgjithshme të sektorit bankar, përfundon raporti. /ekofin.al
