Rreth 144 mijë qytetarë parashikohet të plotësojnë vullnetarisht dhe të dorëzojnë online këtë vit në sistemin e tatimeve e-filing deklaratën individuale vjetore të të ardhurave, DIVA, referuar të ardhurave për vitin 2024.
Por, referuar të dhënave nga tatimet, të përpunuara nga ekofin.al, më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë deklarimi nuk e dorëzuan vullnetarisht deklaratën e vitit 2023, madje pjesë më e madhe e tyre as nuk figurojnë të regjistruar në sistemin e tatimeve e-filing.
Referuar shifrave zyrtare nga tatimet, 73.790 qytetarë kishin deklarimin për të plotësuar dhe dorëzuar deklaratën online brenda prillit të vitit 2024, nga të cilët 24.224 individë me të ardhura mbi 2 milion lekë dhe 49,566 individë të dypunësuar.
Por, nga këta, 41,645 qytetarë, ose 56.5% e qytetarë me detyrim për deklarim, nuk e kanë realizuar këtë detyrim, duke futur pastaj në veprim tatimet që të përpilojnë një plan masash për zbatimin e këtij detyrimi nga qytetarët, kjo edhe për shkak se një pjesë e konsiderueshme e tyre llogaritet të kenë edhe tatim ekstra për të paguar (kryesisht në rastet e të dypunësuarve), që nëse nuk mblidhet nga tatimet rezultojnë si të ardhura të munguara në arkën e shtetit. Nga këto qytetarë që nuk dorëzuan vullnetarisht DIVA-n e vitit 2023, rezulton se 32,994 nuk janë fare të regjistruar në sistemin online të tatimeve, sipas të dhënave zyrtare. Tatimet nuk specifikojnë se sa nga këta qytetarë kanë deklaruar më pas, falë ndërhyrjeve të administratës tatimore.
E ndërkohë që këtë vit, deri në fund të marsit është afati i fundit për të plotësuar dhe dorëzuar elektronikisht formularin, edhe me rreth 67 mijë qytetarë të rinj që futen në sistem dhe pritet të deklarojnë për herë të parë, për shkak të ndryshimeve ligjore dhe uljes së pragut të të ardhurave, nga 2 milionë në vit në 1.2 milionë në vit, sfida e madhe është se sa qytetarë do të deklarojnë vullnetarisht dhe çfarë duhet të bëjnë më tej tatimet për të “kapur” ata që nuk deklarojnë? /ekofin.al

