Platforma Kombëtare e Punësimit, puna.gov.al, krijuar për të mbështetur tregun e punës, ofron aktualisht rreth 5400 vende pune në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Pjesa më e madhe e njoftimeve janë për Tiranën, plot 1490 të tilla, por kërkesa për punësim ka edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.
Tashmë çdo punëkërkues plotëson online dosjen respektive dhe çdokush gjen punën më të mirë të mundshme apo kandidatin më të mirë për një vend pune përmes “puna.gov.al”.
Gjithashtu nëpërmjet portalit të punës, qytetarët mund të regjistrohen në kurse formimi profesional.
Platforma shërben po ashtu dhe për punëdhënësit, të cilët mund të publikojnë vendet e lira të punës për të gjetur punëkërkuesit e duhur.
Platforma ofron informacion mbi vendet e lira të punës në Shqipëri, ku ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.
Aksesi në platformë realizohet duke vendosur të njëjtat kredenciale si në portalin “e-Albania”.
