Institucionet e drejtësisë do të paguajnë deri më 31 janar 2025, këstin e fundit të diferencës së pagës së magjistratit nga 1 janari 2019 e në vazhdim ndaj anëtarëve dhe punonjësve të tyre.
Fondi prej 520 milionë lekësh, i detajuar për secilin prej tyre në Aktin Normativ të Buxhetit Nr.5, datë 19.12.2024 për Buxhetin e ndryshuar të vitit 2024 do të shpërndahet nga vetë institucionet në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 35, datë 22.11.2022.
Gjykata Kushtetuese kishte vendosur “shfuqizimin e nenit 12, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë” dhe “Shfuqizimin e nenit 1, pika 7, paragrafi i dytë, shkronjat “a”, “b” dhe “c” të ligjit nr.8097, datë 21.03.1996 “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën”.
Në thelb, ky vendim njohu të drejtën e një shtese prej 14 mijë lekësh mbi pagën bazë të çdo magjistrati që nga viti 2019 e në vazhdim, si dhe një përllogaritje të re të pensionit për magjistratët në bazë të kontributeve, duke hequr si referencë pagën e Presidentit të Republikës.
Ndërkohë, fondi prej 68 milionë lekësh, shtuar në shpenzimet korrente të programit buxhetor “Veprimtaria e rivlerësimit kalimtar të magjistratit”, në masën 47 milionë lekë, dhe të programit buxhetor “Veprimtaria e komisionerit publik”, në masën 21 milionë lekë, do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve për pagesën e punonjësve për muajin dhjetor 2024 dhe për shpërblimin për vjetërsi në punë, si rrjedhojë e mbylljes së Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë. Ekzekutimi i detyrimeve tatimore dhe i kontributeve të sigurimeve për pagesat e muajit dhjetor 2024 kryhet deri më 15 janar 2025.
Institucionet e rivlerësimit e përfundojnë mandatin e tyre më 31 dhjetor 2024. Për të përmbyllur veprimtarinë e këtyre institucioneve, Kuvendi ka miratuar organikën e punonjësve administrativë që qëndrojnë në detyrë pas mandatit, me kohëzgjatje deri në 30.06.2025, më konkretisht 17 punonjës për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe 15 punonjës për Komisionerët Publikë./ekofin.al