Nesër, më 26 nëntor do të bëhen plot 5 vite nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 2019, por procesit të rindërtimit ende nuk po i duket fundi.
Familjet shqiptare protestojnë hera – herës, në Bashkinë e Vorës, Durrës, Kurbin dhe Tiranë, por pa përgjigje se kur mund të futen në shtëpitë e premtuara nga shteti, atyre që përveç njerëzve të dashur, humbën edhe banesat.
Nuk dihet ende me siguri fundi, por rindërtimi parashikohet të marrë fonde nga Buxheti të paktën deri në fund të vitit 2026, pra edhe për dy vite të tjera. Në këto 5 vite, fatura e shpenzimeve nga buxheti i shtetit rezulton të jetë 920 milionë euro dhe në shtëpitë e reja janë futur vetëm 7 mijë familje.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në projektbuxhetin e vitit 2025 janë planifikuar të shpenzohen 50 milionë euro për rindërtimin e vendit nga tërmeti, ndërsa për këtë vit janë planifikuar të shpenzohen 90 milionë euro, nga të cilat deri në fund të shtatorit janë shpenzuar 70 milionë euro.
Investimet e llogaritura për të rikuperuar dëmet e tërmetit kapin vlerën e 1 miliardë e 80 milionë euro, ku mbi 800 milionë euro ishin vetëm dëmet për strehim.
Për rindërtimin e Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve të mbajtur në Bruksel më 17 shkurt 2020, vendit iu ofruan 1.15 miliardë euro, 300 milionë nga të cilat ishin grante, pjesa tjetër kredi.
Qeveria ka vendosur që për rindërtimin të marrë projektet e BE-së më së shumti për objektet arsimore dhe kulturore dhe pjesën e banesave ta mbulojë me fonde të buxhetit, pa përfshirë 524 apartamente të financuara nga Turqia dhe pjesën e apartamenteve të ndërtuara nga Emiratet Arabe.
Megjithëse nuk ka një datë për mbylljen përfundimtare të rindërtimit, financimi i planifikuar në buxhetin e shtetit është deri në vitin 2026, kur do të jepen 50 milionë eurot e fundit.

