Ministria e Financave ka ripublikuar edhe njëherë thirrjen për këstin e parë të dëmshpërblimit për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve politikë që nuk jetojnë. Janë 45 dosje të miratuara, të cilët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që të lëvrohen pagesat.
Publikimi në faqen e Financave është bërë në 29 Janar 2025 dhe përfituesit kanë afat 3 muaj për të plotësuar dokumentacionin. Nëse deri në fund të prillit, nuk dorëzohen dokumentat e kërkuara, atëherë e drejta për dëmshpërblim i kalon të dënuarit tjetër që është në rradhë. Dokumentat duhet të dorëzohen në Ministrinë e Financave përmes postës, ose duke u protokolluar në institucion.
Për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve që nuk jetojnë kërkohet:
Akt trashëgimie, certifikatë vdekje e të dënuarit, certifikatë trungu e të dënuarit, numër llogarie për çdo përfitues ose prokurë, fotokopje e kartës së identitetit. Në qoftë se, një ose disa nga trashëgimtarët e rradhës së parë nuk jetojnë më, thuhet më tej në njoftim, atëherë njëri nga trashëgimtarët duhet të dorëzojë: Akt noterial trashëgimie për çdo trashëgimtar të rradhës së parë që nuk jeton më, certifikatë vdekje, certifikatë të trungut familjar, numër llogarie si edhe fotokopje e kartës së identitetit.
Ligjërisht, në rastet kur njëri ose disa trashëgimtarë të rradhës së dytë nuk jeton më, e drejta e tyre për dëmshpërblim nuk vazhdon më tej.
Ripublikim-kesti-i-pare-vkm-686-date-26.10.20222-dhe-vkm-498-date-24.08.2023
