51% e totalit të kredisë të dhënë nga sektori bankar deri në fund të vitit 2024, për individët dhe bizneset, është dhënë për blerje banesash ose pasuri të tjera të paluajtshme. Stoku total i kredisë në fund të vitit 2024 rezulton 779.5 miliardë lekë, ku kredia për biznesin vijon të zërë peshën kryesore me 60.3%, ndërsa pjesa tjetër është kredia për individët.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në Raportin e Mbikëqyrjes për vitin 2024, rezulton se kredia “hua për pasuri të paluajtshme” “hua për blerje banesash” për individët, zë peshën më të madhe ndaj totalit të portofolit të kredisë me 26.8%, pasuar nga “hua për pasuri të paluajtshme” për bizneset me 24.3%.
Kjo do të thotë që deri në fund të vitit 2024, bankat kanë dhënë pak a shumë rreth 400 miliardë lekë, ose 4 miliardë euro kredi për biznesit dhe individët për blerje pronash. Rezulton se sidomos në dy vitet e fundit, kredia për blerje pasusish të paluajtshme është rritur me ritme edhe më të shpejta.
Kjo e detyroi edhe Bankën e Shqipërisë, ndikuar nga paralajmërimet e herë pas hershme të FMN, që të ndërhyjë duke vendosur disa kufizime rregullatore për kredinë hipotekore.
Në bazë të këtyre ndryshimeve, nga 1 korriku 2025 kreditë bankare për shtëpi do të kenë tavan në raport me vlerën e financimit për banesën, si edhe një tavan për kredinë në raport me të ardhurat e kredimarrësit.
Sipas vendimit, maksimumi i financimit për blerjen e shtëpisë së parë do të jetë 85% për kredinë në lekë, ndërsa për shtëpinë e dytë do të jetë në masën 80%. Ndërsa, për kreditë në valutë, kufizimet do të jenë respektivisht 75% dhe 70%.
Gjithashtu, sipas vendimit, kufizimi për këstin në varësi të të ardhurave në lekë do të jetë në masën 40% të të ardhurave, pra nuk mund të ketë këst kredie për blerje shtëpie që të jetë më i lartë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit. Ndërsa për të ardhurave në valutë, kufizimi do të jetë 45%. Ndërsa për blerjen e shtëpisë së dytë, kufizimet do të jenë respektivisht 35% dhe 30% të të ardhurave. /ekofin.al
