Kreditë me probleme kanë shënuar rënie në fund të vitit 2023. Bazuar në të dhënat e raportuara nga Banka e Shqipërisë, në Raportin e Mbikëqyrjes, rezulton se treguesi i kredive me probleme ka pësuar një rënie prej 0.25%, duke arritur në 4.74% në fund të vitit 2023.
Në terma nominalë, kredia me probleme arriti nivelin 35 miliardë lekë, me një rënie prej 0.7 miliardë lekësh ose 1.95% krahasuar me një vit më parë. Kredia me probleme ka ardhur në rënie, ndërkohë që portofoli i kredive rezulton në rritje prej 24.5 miliardë lekësh ose rreth 3.43% gjatë vitit të kaluar.
Treguesi i kredive me probleme neto ndaj kapitalit rregullator ka rënë me 1.58% në krahasim me një vit më parë, si rezultat i rënies së kredive me probleme neto me 2.4 miliardë lekë ose 18.98%, ndërkohë që kapitali rregullator është rritur me 7.5 miliardë lekë ose 4.19%, thekson më tej Banka e Shqipërisë.
Për sa i përket cilësisë së kredisë të ndarë sipas llojit të subjektit, treguesi i kredisë me probleme për biznesin ka rënë me 0.2%, duke shkuar në nivelin e 5.7%, ndërkohë që edhe për individët ka rënë me 0.4% kundrejt një viti më parë, duke shënuar nivelin 3.4%.
Për sa i përket ndarjes së kredive me probleme sipas monedhës, rezulton se treguesi i kredive me probleme në valutë nuk ka ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar dhe ka mbetur në nivelin 4%, ndërkohë që treguesi i kredive me probleme në lekë evidenton një rënie me 0.6%, duke arritur në nivelin 5.4% kundrejt 6% në fund të vitit të kaluar.
Treguesi i kredive me probleme është një nga treguesit kyç të sektorit bankar, së bashku me treguesin e mjaftueshmërisë së kapitalit, që ndikojnë direkt në performancën e bankave tregtare dhe që monitorohen në vazhdimësi nga BSh. Ekofin.al

