Modeli i bashkëpunimit bujqësor po zgjerohet në Shqipëri. Që prej nisjes së procesit në muajin mars, janë krijuar 33 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) në 21 bashki, duke përfshirë 455 fermerë. Ndërkohë, puna vijon për shtrirjen e modelit edhe në 12 bashki të tjera.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha se qëllimi është krijimi i një modeli të ri bashkëpunimi, të organizuar sipas produkteve prioritare të çdo zone.
Në fokus është një prej problemeve kryesore me të cilat përballen fermerët individualë: kostot e larta dhe fuqia e kufizuar negociuese përballë tregut.
Sipas Ministrit Salla, bashkëpunimi nuk prek pronësinë apo aktivitetin individual të fermerit, por krijon mundësi që kapacitetet dhe investimet të ndahen.
«“Toka, ferma dhe prodhimi mbeten të tuat, por duke bashkuar forcat mund të ulni kostot, të përdorni së bashku makineri, të investoni në grumbullim e përpunim dhe të keni fuqi negociuese më të lartë në treg”, u shpreh Salla.»
Financimi deri në 100%
Një nga instrumentet kryesore për nxitjen e këtij modeli është Skema Kombëtare 2026, përmes së cilës SHBB-të kanë përparësi dhe mundësi financimi deri në 100%.
Synimi është që bashkëpunimi të mos mbetet vetëm në nivel organizativ, por të shndërrohet në investime konkrete në mekanizim, grumbullim dhe përpunim, duke rritur vlerën e prodhimit dhe të ardhurat e fermerëve.
Nisma po zhvillohet edhe në bashkëpunim me bashkitë, të cilat pritet të mbështesin SHBB-të përmes aseteve, infrastrukturës dhe shërbimeve.
Në këtë proces vëmendje e veçantë i kushtohet edhe të rinjve dhe grave në zonat rurale, me synimin për të nxitur investimet dhe për të krijuar më shumë mundësi ekonomike në sektorin bujqësor.
Qeveria synon që modeli i Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor të shtrihet në çdo bashki, duke e lidhur organizimin e fermerëve me rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit shqiptar.
“Ky është modeli që po ndërtojmë në çdo bashki, për t’i dhënë më shumë vlerë punës së fermerit dhe më shumë mundësi prodhimit #MadeInAlbania në tregun vendas dhe europian”, deklaroi Salla.
