Gjatë 6-mujorit të parë të vitit Shqipëria është renditur e dyta për sa i përket rritjes së numrit të fluturimeve, më saktë rreth 32 mijë fluturime të regjistruara. Të dhënat tregojnë se numri i flututrimeve në vendin tonë është rritur me rreth 56%, krahasuar me periudhën Janar-Qershor të vitit 2023. Shqipëria, bashkë me Islandën, kryeson me rritjen më të madhe, ndërkohë që numri i fluturimeve në Bashkimin Europian është rritur me 7%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023. Vende të rajonit po ashtu raportojnë rritje të numrit të fluturimeve duke u renditur mes vendeve të para.
Maqedonia e Veriut renditet në vend të katërt në Evropë sipas të dhënave të EUROSTAT, me një rritje prej 17%, pasuar në nivel rajoni nga Mali i Zi me 16% dhe Serbia me 12.2%. Vendet Evropiane të cilat kanë regjistruar rënie të numrit të fluturimeve komerciale në gjashtëmujorin e parë të vitit janë Suedia me 0.5%, Norvegjia me 1.2% dhe Bosnje Hercegovina me 3.4%.
Edhe nëse analizojmë shifrat e qershorit të këtij viti, shohim se tendenca paraqitet e njëjtë. Shqipëria dhe Islanda kryesojnë Evropën me rritjen më të lartë të numrit të fluturimeve, prej 49.3% dhe 75% respektivisht. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Evropian flet për një rritje të numrit të fluturimeve me 6.2% në qershor të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
