31% e totalit të mjeteve që iu nënshtruan testimit gjatë vitit 2024 kanë ngelur për arsye të ndryshme. Sipas të dhënave të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), arsyet e ngeljes në testim janë 46% për mangësi vizuale e funksionale, 27% nga sistemi i shkarkimit të gazrave, 14% si pasojë e sistemit të drejtimit dhe 13% nga sistemi i frenimit.
Në total, për periudhën janar-dhjetor 2024, i janë nënshkruar kontrollit teknik, 428,139 mjete, ose +8.2% më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Pjesa më e madhe e mjeteve të testuara, 84.1% janë automjete, ndërsa 35.1% e tyre janë realizuar në drejtorinë rajonale të Tiranës.
Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e mjeteve, 28.5% e totalit i janë nënshkruar ritestimit.
Për herë të parë në vitin 2024 vihet re një tendencë e theksuar e importit të mjeteve nga Koreja e Jugut, duke tejkaluar edhe tregjet tradicionale (Gjermaninë dhe Italinë). Po ashtu ka një rritje të mjeteve të importuara nga tregjet e SHBA dhe Kanada, si edhe nga Zvicra.
Shqiptarët po ashtu po nxjerrin jashtë përdorimi flotën e vjetër të mjeteve. Kështu, sipas të dhënave të DPSHTRR, 7949 mjete me moshë mesatare 22-vjeçare janë çrregjistruar përgjithmonë përgjatë vitit të kaluar, ose 38.3% më shumë mjete sesa në vitin 2023.
DPSHTRR u tërheq vëmendjen tregtarëve të mjeteve dhe pikave të autorizuara për shitjen e tyre se ndalohen rreptësisht ndërhyrjet në odometër, ndryshimet konstruktive dhe çdo ndërhyrje tjetër e cila përbën kërcënim për sigurinë rrugore. /ekofin.al