Krimet seksuale kanë pësuar rritje të ndjeshme për vitin 2024 dhe shumica prej tyre kanë ndodhur në Tiranë.
Sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për kriminalitetin vërehet se janë regjistruar 161 procedime penale, me 87 të pandehur ose me rritje 29,84 % të procedimeve dhe me rritje 26,09 % të pandehurve të regjistruar krahasuar me vitin 2023. Janë dërguar për gjykim 81 procedime me 85 të pandehur, ose me rritje 52,83 % të procedimeve dhe rritje 46,55 % të të pandehurve të dërguar për gjykim, në krahasim me vitin 2023.
Kërkesat e prokurorit lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer krime seksuale janë të ashpra, ku të gjitha kërkesat janë për masa sigurimi me arrest. Kështu, 85,94 % e kërkesave janë për caktimin e dënimit me burg dhe vetëm 14,06 % për caktimin e alternativave të dënimit me burg.
Pesha specifike që zënë këto grup vepra penale për vitin 2024 përkundrejt numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi, është 0,65 % ndërkohë që për vitin 2023 ka qenë 0,51 %. Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këto grup vepra në vitin 2024 është 6,70 ndërsa në vitin 2023 ka qenë 4,49.
Të dhënat statistikore tregojnë se 98,72 % e të pandehurve (mbi 18 vjeç) janë meshkuj dhe 1,28 % janë femra. Ndërkohë nga numri i përgjithshëm i të pandehurve meshkuj, 6,09 % janë të mitur (14-18 vjeç). Rezulton 1 shtetas i huaj.
Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 48,19 % e të pandehurve janë me arsim deri 9- vjeçar, 46,98 % me arsim të mesëm dhe 4,83 % me arsim të lartë.
Për sa i përket gjendjes shoqërore nga të dhënat statistikore vihet re se 53,32 % e të pandehurve janë të papunë, 44,68 % e të pandehurve janë të punësuar në sektorin privat.
Rezulton se 72,29 % e të pandehurve kanë vendbanimin në qytet ndërsa 27,71 % prej tyre në fshat.
Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, 87,95 % e të pandehurve janë të padënuar më parë dhe 12,05 % e të pandehurve janë përsëritës për vepra penale të ndryshme nga ajo që procedohen.
Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime seksuale është në prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë: Tiranë regjistruar 33 % e numrit total të procedimeve të regjistruara për këto vepra në shkallë vendi, Korçë regjistruar 18 % e procedimeve, Fier 10 % të procedimeve të regjistruara. Numrin më të vogël të procedime e kanë regjistruar prokuroritë e veriut Kukësi dhe Dibra me 1% secila. /ekofin.al


