Rreth 334 mijë mjete, ose 75 % e mjeteve në qarkullim, kanë kryer kontrollin teknik përgjatë harkut kohor të një viti.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se, mbi 97 mijë mjete, ose 29 % e totalit të mjeteve nuk e kanë kaluar kolaudimin, ndërsa 93 % e këtyre mjeteve janë ritestuar pas riparimeve.
Kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja bëri të ditur se rikthimi i shërbimit të kontrollit teknik tek DPSHTRR shënoi një kthesë me rëndësi për automotorizimin shqiptar.
“Një vit pune intensive për të garantuar kushte thelbësore sigurie, higjiene, sinjalistikë orientuese e mirëfunksionim sistemesh/pajisjesh për punonjësit e rinj të kolaudimit dhe për drejtuesit e mjeteve që kryejnë kontrollin teknik”, deklaroi Gonxhja, duke publikuar dhe tabelat në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, po vijon puna për realizimin e investimeve të tjera fizike në infrastrukturat e objekteve, shesheve, zyrave të shërbimit. Cilësia e shërbimit, mirëmbajtja dhe kontrolli mbetet prioritet i vazhdueshëm i DPSHTRR-së.