Një pjesë e konsiderueshme mjetesh që i nënshtrohen kolaudimit ngelin, të paktën në tentativën e parë. Referuar të dhënave të bëra publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) në 4 muajt e parë të vitit 2025 janë paraqitur për testim 81,199 mjete.
Nga këto mjete, 87% e tyre janë automjete 4+1 dhe 8+1. Ndërkohë, dy pikat e testimit të DPSHTRR Tiranë, në Ish-NSHRAK dhe Fushë-Prezë, vijojnë të mbajnë ngarkesën kryesore, pasi 36% e totalit të testimeve janë realizuar në këto dy pika.
DPSHTRR informon se 21.904 mjete ose 27 % e numrit të përgjithshëm të mjeteve janë ngelur dhe refuzuar, duke u dërguar për riparime, shërbime, montim pjesë, etj. Më tej, nuk ka shifra, se sa nga mjetet e ngelura herën e parë, kanë kaluar, pasi i janë nënshtruar riparimeve.
Ndërkohë, rreth 2541 mjete me moshë 22-vjeçare janë çregjistruar përgjithmonë, njofton DPSHTRR.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të riparojnë në afat ligjor mjetet e tyre dhe t’i kontrollojnë ato vetë në servise para se të dalin në rrugë, pasi Kodi Rrugor i bën ata përgjegjës nëse dalin në qarkullim me mjet me mangësi teknike ose funksionale. Për këtë rrezikojnë jo vetëm ndëshkime, por deri edhe në shoqërim të mjetit dhe bllokim të tij.




