Tregu i sigurimeve po rritet me ritme të ngadalta këtë vit, ndikuar kryesisht nga zhvlerësimi i euros. Sipas të dhënave më të fundit, të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për periudhën janar-mars 2024, pra për 3-mujorin e parë të vitit, rritja e gjithë tregut ishte në nivelin 1.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nëse merret në konsideratë segmenti kryesor i këtij tregu, ai i Jo-Jetës, rritja ishte edhe më e kufizuar, në vetëm 0.7%.
Ekspertët e tregut të sigurimeve sqarojnë se kjo rritja e kufizuar i atribuohet kryesisht zhvlerësimit të mëtejshëm të euros gjatë këtij viti, si edhe disa faktorëve të tjerë, siç mund të jetë shtyrja në kohë e kontratave, kryesisht në sigurimin vullnetar, siçmund të jenë ato të sigurimit të pronës.
Ekofin analizoi disa nga treguesit e të dhënave të 3-mujorit të parë të vitit, ku ajo që bie në sy, edhe pse në një periudhë jo shumë të mirë për tregun, është rritja e shoqërisë SIGMA, e cila sa i përket primeve të shkruara bruto ka edhe rritue më të fortë të tremujorit, me afro 21.6%, duke arritur në mbi 654 milionë lekë prime për tre muajt e parë të vitit. Kjo rritje vjen kryesisht nga një performancë shumë e mirë e shoqërisë sidomos në segmentin e sigurimit të pronës, me një rritje me afro 65% krahasuar me tre-mujorin e vitit të kaluar, si edhe në sigurimin e përgjegjësive civile, aty ku praktikisht thuajse i gjithë tregu ka shënuar rënie.
Rritja e shënuar në këto segmente, si edhe ruajtja e ritmit dhe trendit rritës në sigurimet motorike, që zënë edhe pjesën kryesore të tregut të sigurimeve, e ka ringjitur SIGMA-n në vend të tretë sa i përket shoqërive me numrin më të lartë të primeve të shkruara bruto, pas SIGAL dhe Albsig, të cilat për herë të parë pas shumë vitesh kanë shënuar rënie në nivelin e primeve të arkëtuara për këtë 3-mujor.
Këto ditë shoqëria, e cila është pjesë e grupit kryesor austriak të sigurimeve, Vienna Insurance Group, me bazë në Vjenë, por i shtrirë edhe në shumë shtete të tjera europiane dhe të rajonit, shënoi 25-vjetorin e operimit të saj në Shqipëri. Me sa duket ky përvjetor i rëndësishëm i kompanisë ka sjellë më shumë motivim edhe për punonjësit, gjë që më tej është shpërblyer me ringjitjen e saj në vendin e tretë në treg, për herë të parë që nga viti 2021. Ekofin.al

