Tregu shqiptar i punës vijon të shfaqë diferenca të ndjeshme mes grave dhe burrave, si në pjesëmarrjen në punë, ashtu edhe në papunësi, formën e punësimit dhe nivelin e pagave. Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se gratë kanë një shkallë më të ulët punësimi se burrat, ndërsa papunësia mes tyre është rritur krahasuar me një vit më parë.
Për grupmoshën 15-64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës ishte 70,1% për gratë, kundrejt 82,7% për burrat. Diferenca prej 12,6 pikësh përqindjeje tregon se një pjesë dukshëm më e vogël e grave në moshë pune është aktive në tregun e punës.
Hendeku shfaqet edhe më qartë te punësimi. Në vitin 2025, shkalla e punësimit të grave të moshës 15-64 vjeç ishte 62,7%, ndërsa për burrat arrinte në 76%. Pra, diferenca mes dy gjinive ishte 13,3 pikë përqindjeje.
Edhe struktura e punësimit evidenton një tjetër problematikë. Vetëm 55,2% e grave të punësuara të moshës 15-64 vjeç ishin të punësuara me pagë, ndërsa 25% rezultonin punëtore pa pagesë në biznesin e familjes. Kjo do të thotë se një në çdo katër gra të punësuara bënte pjesë në këtë kategori.
Bujqësia mbetet sektori me peshën më të madhe në punësimin e grave. Rreth 38,4% e grave të punësuara punonin në këtë sektor. Ndërkohë, në grupin e aktiviteteve që përfshin tregtinë, transportin, hotelerinë, shërbimet e biznesit dhe ato administrative punonin 24,1% e grave, kundrejt 31,1% të burrave të punësuar.
Një sinjal tjetër vjen nga papunësia. Shkalla e papunësisë për gratë e moshës 15-64 vjeç arriti në 10,6% gjatë vitit 2025, kundrejt 8,2% për burrat. Por ndryshimi është edhe më i dukshëm nëse krahasimi bëhet me vitin 2024. Papunësia te burrat u ul me 0,7 pikë përqindjeje, ndërsa te gratë u rrit me 0,6 pikë përqindjeje. Në këtë mënyrë, hendeku i papunësisë mes grave dhe burrave arriti në 2,4 pikë përqindjeje.
Pabarazitë në tregun e punës lidhen edhe me shpërndarjen e punëve të papaguara brenda familjes. Ndër personat ekonomikisht joaktivë të moshës 15 vjeç e lart, 15,1% e grave deklaruan përmbushjen e detyrave shtëpiake si statusin e tyre kryesor. Për burrat, kjo përqindje ishte vetëm 0,7%, ose mbi 20 herë më e ulët.
Gratë kishin gjithashtu peshën më të madhe mes punëkërkuesve të papunë të regjistruar, duke përbërë 55,3% të totalit. Sipas nivelit arsimor, 49,4% e grave punëkërkuese të papuna kishin arsim të mesëm të ulët, ose 9-vjeçar, krahasuar me 47,3% të burrave.
Diferenca gjinore vijon edhe te pagat, megjithëse gjatë vitit 2025 është ngushtuar lehtë. Sipas INSTAT, hendeku gjinor në paga zbriti në 4,6%, nga 4,9% që ishte në vitin 2024. Kjo do të thotë se paga mesatare mujore bruto e grave ishte 4,6% më e ulët se paga mesatare e burrave.
Të dhënat për mbrojtjen sociale tregojnë ndërkohë një situatë të ndryshme mes pensioneve urbane dhe atyre rurale. Në fund të vitit 2025, gratë përbënin 48,4% të përfituesve të pensioneve urbane, ndërsa te pensionet rurale pesha e tyre arrinte në 69,1%.
Treguesit e vitit 2025 nxjerrin kështu në pah një treg pune ku hendeku gjinor mbetet i pranishëm në disa drejtime njëherësh. Gratë kanë pjesëmarrje dhe punësim më të ulët, papunësi më të lartë dhe paga mesatare më të ulëta se burrat. Në të njëjtën kohë, pesha e lartë e punës së papaguar në biznesin familjar dhe e detyrave shtëpiake mes grave ekonomikisht joaktive evidenton se një pjesë e konsiderueshme e aktivitetit të tyre mbetet jashtë marrëdhënieve standarde të punësimit me pagesë./ekofin.al
