Qeveria ka vendosur të shpenzojë përsëri para për të shlyer borxhet e ndërmarrjeve ushtarake, në tentativë për të riaktivizuar industrinë e prodhimit të armëve dhe mjeteve ushtarake.
Këshilli i Ministrave ka miratuar fondin me vlerë 244 milionë lekë për të shlyer borxhet e ndërmarrjeve shtetërore Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan.
Të gjitha detyrimet që këto ndërmarrje kanë ndaj palëve të treta do të shlyhen brenda 30 ditëve, thuhet në vendimin e qeverisë.
V E N D I M
PËR
SHLYERJEN E DETYRIMEVE FINANCIARE NDAJ TË TRETËVE TË NDËRMARRJEVE SHTETËRORE USHTARAKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e Shoqërisë Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake”, dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj të tretëve, në masën 244 541 460 (dyqind e dyzet e katër milionë e pesëqind e dyzet e një mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) lekë, të ndërmarrjeve shtetërore Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik Poliçan, nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, detajuar sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Efektet financiare, sipas pikës 1 të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2025, për Ministrinë e Mbrojtjes, në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”.
3. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura, sipas pikës 1 të këtij vendimi, përfundon brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e tij.
4. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

