Statistikat e INSTAT mbi “Gratë dhe Burrat në Shqipëri” e vitit 2024 mbi krimin dhe drejtësinë penale ofrojnë një pasqyrë të detajuar mbi përfshirjen gjinore në vepra penale, viktimizimin, si dhe trajtimin në sistemin penitenciar.
Gratë si autore të veprave penale
Në vitin 2024, statistika tregon se 2.528 gra janë autore të veprave penale, që përfaqësojnë 6,3 % të autorëve gjithsej. Ky nivel mbetet relativisht i ulët krahasuar me burrat, por reflekton gjithsesi prani të qëndrueshme të grave në kriminalitet, kryesisht në fusha të tilla si krimet e lidhura me drogën dhe vrasjet.
Ndërkohë ana tjetër tregon se gratë janë më të targetuara në dhunën në familje ku 1,456 kanë raportuar fenomenin në organet policore. Po kështu, nga 40 vrasje me dashje, 22,5 % kanë ndodhur për shkak të marrëdhënieve familjare, duke nënvizuar rëndësinë e faktorëve socialë dhe konflikteve familjare në krimet më të rënda. Shpërndarja gjeografike tregon se Tirana (41,1 %), Durrësi (15,2 %) dhe Fieri (8,3 %) janë qarqet më problematike në këtë drejtim.
Gratë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale
Sipas INSTAT, në vitin 2024, në burgje ndodhen 77 gra të burgosura, që përbëjnë vetëm 1,7 % të totalit të të burgosurve. Krimet më të shpeshta për të cilat ato janë dënuar lidhen me drogën dhe vrasjet. Një element interesant është struktura arsimore: 24,7 % e grave të burgosura kanë arsim të lartë, përkundrejt vetëm 6,1 % të burrave, duke ngritur pyetje mbi faktorët socio-ekonomikë dhe motivues të kriminalitetit femëror. Përveç kësaj, 22,1 % e tyre ndjekin kurse të formimit profesional, duke treguar një përfshirje më të madhe në proceset rehabilituese.
Viktimizimi i të miturve
Një dimension tjetër shqetësues është viktimizimi i të miturve. Të dhënat tregojnë se janë regjistruar 1.447 të mitur të dëmtuar nga veprat penale, duke përbërë 8,1 % të viktimave gjithsej. Prej tyre, 401 janë vajza dhe 1.046 janë djem. Vajzat shfaqen më të ekspozuara ndaj krimeve seksuale (15,5 %), duke evidentuar rrezikun disproporcional me të cilin përballen.
Ndërkohë, në burgun e të miturve janë 27 të burgosur, të gjithë djem, duke konfirmuar se kriminaliteti i të miturve në Shqipëri mbetet një fenomen pothuajse ekskluzivisht mashkullor./ekofin.al
