Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka publikuar statistikat më të fundit të performancës së saj, duke reflektuar një rritje të qëndrueshme të numrit të aplikimeve, regjistrimeve dhe shërbimeve të asistencës për sipërmarrjen. Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm për periudhën janar–nëntor 2025 janë regjistruar rreth 21 mijë biznese të reja, një tregues i rëndësishëm për dinamizmin e klimës së sipërmarrjes në vend dhe forcimin e kanaleve të shërbimeve digjitale.
Asistencë e zgjeruar për çdo hap të sipërmarrësve
Sipas raportimit mujor të QKB, gjatë muajit nëntor, janë realizuar 908 telefonata të asistuara nga operatorët, 392 komunikime përmes chat-it direkt dhe 746 kërkesa të trajtuara me anë të biletës së asistencës dhe e-mailit.
Këto shifra tregojnë angazhimin e institucionit për të ofruar suport të vazhdueshëm dhe të aksesueshëm për bizneset dhe qytetarët që përdorin shërbimet e QKB-së.
Rritje e ndjeshme e aplikimeve online
Digjitalizimi i shërbimeve vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të QKB-së. Vetëm gjatë muajit të fundit janë regjistruar 10,502 aplikime online, ku ka patur 1,538 biznese të reja të regjistruara, 168 licenca të reja të lëshuara dhe 12 leje të reja të lëshuara.
Ndërkohë, specifikisht për aplikimet në tre regjistrat kryesorë, janë 8,812 aplikime në Regjistrin Tregtar, 777 aplikime në Regjistrin e Pronareve Përfitues, si edhe 913 aplikime në Regjistrin e Lejeve dhe Licencave.
Këto tregues nënvizojnë një përdorim gjithnjë e më të lartë të platformave online, që kanë lehtësuar procedurat dhe shkurtuar kohën e ofrimit të shërbimeve.
QKB drejt një faze të re zhvillimi: Digjitalizim, projekte rajonale dhe rritje e rolit institucional
Drejtuesi i sapoemëruar i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Etugert Llazi, i tha Ekofin.al se prioritet mbetet thellimi i modernizimit të shërbimeve dhe forcimi i rolit të institucionit në mbështetje të sipërmarrjes.
“QKB po hyn në një fazë të re zhvillimi. Synimi ynë është të avancojmë më tej me digjitalizimin e shërbimeve, të rrisim rolin e institucionit dhe të ndërmarrim projekte jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe rajonal, në ndihmë të bizneseve dhe përmirësimit të klimës së investimeve”, — deklaroi Llazi.
Ai theksoi se objektivi strategjik është krijimi i një ekosistemi të integruar shërbimesh, që i ofron biznesit akses më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të sigurt ndaj gjithë proceseve administrative. /ekofin.al
