Shqipëria ka regjistruar ndryshime të dukshme në marrëdhëniet tregtare me partnerët kryesorë ndërkombëtarë gjatë muajit Korrik dhe shtatëmujorit të parë të vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Kosova dhe Kina kanë qenë ndër vendet me ndikimin më të madh në prurjet dhe daljet tregtare të mallrave nga vendi, ndërsa Italia dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rënie në të dy drejtimet.
Në Korrik 2025, eksportet drejt Kosovës u rritën me plot 72,5% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke e bërë atë destinacionin me performancën më të lartë të rritjes. E njëjta rritje mbresëlënëse është regjistruar edhe në shtatëmujorin Janar–Korrik, duke konfirmuar një tendencë të qëndrueshme të zgjerimit të tregtisë me këtë vend fqinj.
Greqia vijon të jetë një partner i rëndësishëm rajonal, me një rritje të eksporteve prej 14,8% në Korrik dhe 9,6% në shtatëmujor. Edhe Gjermania ka shfaqur rritje modeste, me +0,6% në Korrik dhe +8,9% në totalin e shtatë muajve.
Nga ana tjetër, eksportet drejt Italisë – partneri kryesor tregtar i Shqipërisë – kanë rënë me 6,4% në muajin Korrik dhe me 10% në shtatëmujor. Një tjetër rënie e theksuar është ajo ndaj Maqedonisë së Veriut, me një tkurrje prej 32,7% në Korrik dhe 30,1% në periudhën Janar–Korrik. Po ashtu, eksportet drejt Turqisë kanë pësuar një ulje prej 3,2%.
Në anën tjetër të bilancit tregtar, importet nga Kina janë rritur me 7,6% në muajin Korrik dhe me një ritëm edhe më të lartë gjatë shtatëmujorit, me 21,8% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Edhe Turqia ka shënuar një rritje të dukshme prej 12,0% në Korrik dhe 14,9% gjatë shtatë muajve të parë të vitit.
Rritje më të lehtë kanë shënuar importet nga Greqia, me 5,0% në Korrik dhe 2,8% në shtatëmujor.
Në kahun tjetër, importet nga Italia kanë rënë me 10,3% në Korrik dhe me 3,7% në totalin e shtatëmujorit. Rënie të theksuar kanë pësuar edhe importet nga Gjermania (–16,6% në Korrik dhe –6,7% në shtatëmujor), si dhe nga Kosova, me një tkurrje prej 21,5% në muajin Korrik.
Pjesa më e madhe e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë mbetet e përqendruar në vendet e Bashkimit Evropian. Në muajin Korrik 2025, 55,1% e gjithë tregtisë u realizua me vendet e BE-së. Eksportet drejt BE-së përbënin 67,4% të totalit të eksporteve, ndërsa importet nga BE zinin 49,9% të importeve gjithsej.
Për periudhën Janar–Korrik, pesha e BE-së në tregtinë e jashtme të Shqipërisë është edhe më e madhe: 56,7% e të gjithë shkëmbimeve, me 67,3% të eksporteve dhe 51,8% të importeve të lidhura me vendet anëtare të BE-së.
Italia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke përfaqësuar 25,7% të shkëmbimeve në Korrik dhe 26,9% për periudhën Janar–Korrik. Pas saj renditen Kina me 10,1% në Korrik dhe 9,3% në shtatëmujor, Greqia me 7,8% në Korrik dhe 7,6% në shtatëmujor, si edhe Turqia me 7,0% në Korrik dhe 7,1% në shtatëmujor. /ekofin.al

