Qendrat e formimit profesional dhe shkollat e mesme profesionale do të punësojnë mësimdhënës (instruktorë dhe mësues me kohë të pjesshme) veç atyre të organikës së miratuar, sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit të Ekonomisë dhe tij të Financave, i cili ka hyrë në fuqi.
Ministria e Arsimit do të miratojë numrin maksimal vjetor të instruktorëve/mësuesve në dispozicion për çdo qendër të formimit profesional publik dhe shkollë të mesme profesionale. Numri maksimal vjetor i kurseve dhe instruktorëve me kontratë në total për qendrat e formimit profesional publik është përkatësisht deri në 2,500 kurse të planifikuara në vit dhe deri në 350 instruktorë të përkohshëm në vit.
Ndërsa numri total i mësuesve me kohë të pjesshme për shkollat e mesme profesionale është deri në 200 mësues në vit.
Angazhimi i punonjësve mësimor me kontratë të përkohshme pune në arsimin profesional bëhet me orë mësimore. Orët maksimale të lejuara janë 14 orë në javë në shkollat e arsimit profesional.
Sipas udhëzimit, orët javore llogariten si diferencë nga ngarkesa e personelit në organikë (me kohë të plotë). Shpenzimet për pagesën e tyre përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin vjetor të akorduar për ministrinë përgjegjëse për AFP-në.
Numri i instruktorëve dhe mësuesve në dispozicion me kohë të pjesshme detajohet çdo vit sipas qendrave të formimit profesional dhe shkollave të arsimit të mesëm profesional me urdhër të ministrit përgjegjës për AFP-në dhe dërgohet në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë Financave dhe në degët përkatëse të thesarit. /ekofin.al
