Qeveria duket se do të bëjë realitet një projekt të kahershme për vendosjen e kamerave në rrugë e qytete. Në një aktivitet ku u prezantuan gjetjet e një anketimi për sigurinë në vend, Kryeministri Rama theksoi se 200 km rrugë kombëtare dhe 20 qytete do të monitorohen me kamera, me qëllim identifikimin e shkeljeve dhe shkelësit, si edhe në funksion të rritjes së sigurisë.
“Një sistem i bazuar tek fjala e fundit e teknologjisë digjitale, i pasuruar edhe me Inteligjencë Artificiale që do t’i japë mundësi në kohë reale Policisë së Shtetit, përmes sallave të monitorimit të të gjithë qyteteve që do ta kenë këtë sistem fillimisht. Do të fillojë me 20 qytete në mos gabohem, ashtu sikundër së shpejti fillon dhe investimi që i njëjti sistem të hyjë në rrugët kombëtare.
Do të fillojë me 200 kilometrat e para dhe ai sistem do të japë mundësinë që çdo ankesë e çdo qytetari të jetë e verifikueshme në kohë reale, edhe kur qytetari ankohet me të drejtë, dhe kur qytetari se ka dhe rasti që bën një telefonatë për të nxjerrë një inat me një komshi etj etj por këto janë pjesë e jetës. Sistemi verifikon jo thjesht me fotografi të përgjithshme por verifikon me personin, emrin, mbiemrin dhe të gjithë kartelën e tij në aspektin e precedentëve penalë”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se tashmë është siguruar edhe financimi. “Ky është një projekt i jashtëzakonshëm që më në fund e kemi garantuar edhe si financim dhe në bashkëpunim me partnerët tanë të Emirateve të Bashkuara do të fillojmë ta implementojmë”, tha ai.
