Financimi për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin arriti në rreth 2.11 miliardë lekë në vitin 2025, por shpërndarja mes 61 bashkive paraqet diferenca të mëdha. Sipas të dhënave të raportit “Qeverisja Vendore në Shqipëri 2025”, mesatarja kombëtare është 34.6 milionë lekë për bashki, ndërsa 47 nga 61 bashki marrin financim nën këtë nivel. Raporti evidenton njëkohësisht se bashkitë e vogla mbeten me kapacitete më të kufizuara operacionale dhe kërkon modernizimin e flotës zjarrfikëse.
Diferenca më e fortë duket mes Tiranës dhe pjesës tjetër të vendit. Tirana përfiton 274.8 milionë lekë, ose gati tetë herë mesataren kombëtare. Pas saj vijnë Durrësi me 94.5 milionë lekë, Kukësi me 75.3 milionë, Elbasani me 70.2 milionë, Shkodra me 67.3 milionë, Fieri me 64.3 milionë, Vlora me 63.8 milionë dhe Kamza me 61.4 milionë lekë. Grafiku i raportit e lidh shpërndarjen e fondeve me popullsinë, territorin dhe nivelin e riskut të secilës bashki.
Në skajin tjetër, një numër i madh bashkish mbeten shumë poshtë mesatares prej 34.6 milionë lekësh. Vorë, Vau i Dejës, Rrogozhinë dhe Divjakë marrin rreth 19 milionë lekë secila, ndërsa Klosi, Konispoli, Libohova dhe Roskoveci rreth 19.6 milionë lekë.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se financimi duhet të jetë i barabartë, pasi raporti thekson se bashkitë me densitet më të lartë urban dhe risk më të madh ekonomik apo industrial marrin fonde më të larta. Megjithatë, vetë Instituti evidenton mungesën e kapaciteteve në bashkitë e vogla, nevojën për modernizimin e mjeteve dhe për bashkëpunim ndërbashkiak në përballimin e emergjencave.

Çështja merr peshë të veçantë për zonat malore dhe pyjore. Raporti veçon Fushë-Arrëzin, Tropojën, Kukësin, Dibrën dhe Malësinë e Madhe si bashki që mbajnë një barrë më të madhe territoriale për administrimin e pyjeve. Në këto zona, kapacitetet njerëzore për menaxhimin pyjor konsiderohen të kufizuara dhe financimi i pamjaftueshëm për mbrojtjen dhe monitorimin e sipërfaqeve pyjore.
Për administrimin e pyjeve, raporti tregon një fond prej rreth 490.3 milionë lekësh, me një mesatare afërsisht 8 milionë lekë për bashki. Fushë-Arrëzi ka financimin më të lartë, rreth 23.1 milionë lekë, i ndjekur nga Malësia e Madhe me rreth 20.5 milionë dhe Pogradeci me 20.1 milionë lekë, ndërsa Belshi ndodhet në fund me rreth 1.1 milionë lekë. Edhe këtu financimi lidhet me sipërfaqet dhe karakteristikat territoriale, por raporti kërkon një vlerësim të modelit aktual të financimit dhe administrimit të pyjeve.
Instituti për Bashkitë argumenton se forcimi i mbrojtjes nga zjarri bëhet më i rëndësishëm në kushtet e shtimit të emergjencave civile dhe zjarreve pyjore. Përveç rritjes së kapaciteteve dhe rinovimit të flotës, dokumenti e sheh bashkëpunimin ndërmjet bashkive si një nga mënyrat për të kompensuar mungesën e mjeteve dhe personelit në njësitë më të vogla. /ekofin.al
