Numri i çështjeve gjyqësore në pritje për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, edhe pse me rënie në përqindje, vijon të mbetet ende i lartë.
Sipas të dhënave të publikuara, që prej vitit 2021, vihet re një prirje në zbritje e çështjeve të mbartura, prirje e cila vijon të qëndrojë e tillë edhe në vitin 2024. Çështjet e mbartura përfshijnë të gjitha çështjet e regjistruara në gjykatë deri në 31 dhjetor 2024 dhe ende të pagjykuara. Jo të gjitha çështjet e mbartura konsiderohen çështje të prapambetura, thuhet në dokument.
Deri më 31 dhjetor 2024 janë gjithsej 20,827 çështje të mbartura në pritje për gjykim, nga të cilat 5914 çështje administrative, 13,230 çështje civile dhe 1683 çështje penale.
Për efekt të përllogaritjes së çështjeve të prapambetura, vlerësohet se përbëjnë çështje të prapambetura deri në dhjetor 2024, 18,619 çështje, pra ato çështje që deri më 31 dhjetor 2024, janë më të vjetra se 24 muaj, për çështjet civile dhe administrative dhe më të vjetra se 12 muaj për çështjet penale. Çështjet e prapambetura përbëjnë 89% të volumit të çështjeve të mbartura.

Duke filluar nga korriku i vitit 2020, sasia e çështjeve të prapambetura pësoi rënie, përkatësisht me 5% në korrik të vitit 2021, me 5 % në dhjetor të vitit 2021, 8% në dhjetor të vitit 2022 dhe 18% në vitin 2023.
Në vitin 2024, numri i çështjeve të prapambetura vijoi prirjen në ulje prej 22% krahasuar me po këtë tregues në vitin 2023. Të marra së bashku, nga korriku 2020 kur u regjistrua dhe shifra më e lartë e çështjeve të prapambetura e deri në dhjetor 2024, sasia e çështjeve të prapambetura, pësoi rënie me 47%.
Çështjet e prapambetura për nga natyra kategorizohen në: 65% civile, 28% administrative dhe 7% penale.
Sasia e çështjeve administrative të prapambetura në dhjetor 2024 pësoi rënie me 39% krahasuar me atë të çështjeve administrative të prapambetura në korrik të vitit 2020.
Aktualisht Kolegji Administrativ po shqyrton çështjet me vit regjistrimi 2018; Kolegji Civil gjykon çështjet me vit regjistrimi 2015-2016 dhe Kolegji Penal gjykon çështjet me vit regjistrimi 2021-2022.
Përqindjen më të madhe në volumin e çështjeve të prapambetura vijojnë ta zënë çështjet e regjistruara në vitin 2018, ndërkohë që çështjet me vit regjistrimi më të hershëm dukshëm janë gjithmonë e më në zbritje, thuhet në raport.

