Gjykata e Lartë vijon të ketë një numër të madh stoku dosjesh të pagjykuara, megjithatë jo të gjitha çështjet konsiderohen automatikisht si të prapambetura.
Sipas të dhënave nga institucioni, në fund të vitit 2025, numri total i çështjeve të mbartura arrin në 16,498, nga të cilat 4,416 janë çështje administrative, 11,606 civile dhe 476 penale.
Brenda këtij stoku, çështjet e prapambetura dominohen nga natyra civile me 75%, ndjekur nga ato administrative me 24% dhe penale me vetëm 1%. Peshën më të madhe vijojnë ta mbajnë çështjet e regjistruara në vitin 2019, ndërsa dosjet me vite më të hershme regjistrimi po reduktohen gradualisht.
Të dhëna e vitit 2024, numëronin gjithsej 20,827 çështje të mbartura në pritje për gjykim, nga të cilat 5914 çështje administrative, 13,230 çështje civile dhe 1683 çështje penale.
Megjithëse trendi është në rënie, me ulje progresive të backlog-ut prej 12% në vitin 2022, 18% në 2023 dhe 20% në 2024, situata mbetet larg normalizimit. Ulja e viteve të fundit nuk ka arritur të kompensojë rritjen e fortë të çështjeve në periudhën 2019–2021, duke bërë që sistemi të vijojë të mbajë një stok të lartë dosjesh të akumuluara.
Problemi nuk lidhet vetëm me volumin, por edhe me faktorët që e ushqejnë këtë stok. Një ndër arsyet kryesore mbetet kapaciteti i kufizuar njerëzor. Gjykata ka operuar me numër të reduktuar gjyqtarësh dhe me vakanca të paplotësuara, ndërkohë që një pjesë e trupës nuk ka qenë plotësisht aktive për shkak të emërimeve në institucione të tjera apo problemeve shëndetësore. Kjo situatë ka rritur ndjeshëm ngarkesën individuale dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e shqyrtimit të çështjeve.
Kjo gjë reflektohet edhe në performancën vjetore. Në vitin 2025, Gjykata e Lartë ka gjykuar 10% më pak çështje se në vitin 2024 dhe 13% më pak se në vitin 2023. Nga ana e strukturës së ngarkesës, çështjet administrative zënë 36% të totalit të shqyrtuar, çështjet civile 35%, ndërsa ato penale 29%.
Megjithatë, një faktor tjetër që ndikon në ngarkesën e gjykatës është cilësia e rekurseve. Raporti evidenton se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të pabazuara ose të dobëta në argumentim, duke detyruar gjykatën të shpenzojë kohë dhe burime për filtrimin paraprak, në vend që të fokusohet në çështje me rëndësi për njësimin e praktikës gjyqësore. Kjo rrit artificialisht fluksin dhe ndikon drejtpërdrejt në shtimin e dosjeve të prapambetura.
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë edhe ritmin e suksesit të rekurseve. Në çështjet penale, rekursi ka rezultuar i pasuksesshëm në 80% të rasteve kur është paraqitur nga individi dhe vetëm në 18% të rasteve kur është paraqitur nga prokurori. Në çështjet administrative, ai ka rezultuar i pasuksesshëm në 55% të rasteve kur është paraqitur nga shteti dhe në 42% kur është paraqitur nga individi. Ndërsa në çështjet civile, 45% e rekurseve të paraqitura nga individët dhe 39% e atyre nga shteti kanë rezultuar të pasuksesshme.
Pavarësisht këtyre sfidave, sipas Gjykatës, treguesi i Normës së Likuidimit në vitin 2025 paraqitet shumë pozitiv. Gjykata e Lartë ka arritur një nivel prej 274%, duke tejkaluar ndjeshëm standardin ndërkombëtar prej 100%. Kjo do të thotë se gjatë vitit janë përfunduar shumë më tepër çështje sesa janë regjistruar.
Sipas natyrës, norma e likuidimit arrin në 326% për çështjet civile, 253% për ato penale dhe 251% për çështjet administrative.
Këta tregues konfirmojnë se të tri kolegjet po operojnë jo vetëm mbi standardin minimal, por edhe me një ritëm të lartë në drejtim të uljes së backlogut, megjithëse stoku mbetet ende i konsiderueshëm, përfundon raporti./ekofin.al

