Reforma e re administrativo-territoriale nuk prek në mënyrë të njëtrajtshme territorin shqiptar. Nga 61 bashkitë ekzistuese, 15 propozohet të shkrihen, ndërsa analiza e popullsisë dhe shpërndarjes gjeografike tregon se vendimi nuk është mbështetur vetëm te madhësia demografike.
Analiza e Agron Haxhimalit sjell në vëmendje pikërisht këtë dimension të reformës: ku pozicionohen 15 bashkitë e propozuara për shkrirje dhe çfarë tregojnë të dhënat kur ato krahasohen me të gjitha bashkitë e tjera të vendit?
Sipas ndarjes së popullsisë, 61 bashkitë shqiptare paraqesin një strukturë të diferencuar. Në grupin me më pak se 10.000 banorë bëjnë pjesë 15 bashki, ndërsa 33 bashki kanë një popullsi nga 10.000 deri në 50.000 banorë. Grupin 50.000–150.000 banorë e përbëjnë 12 bashki, ndërsa Tirana qëndron e vetme në kategorinë mbi 150.000 banorë.
Nga 15 bashkitë që propozohet të shkrihen, 6 i përkasin grupit me më pak se 10.000 banorë, ndërsa 9 janë në grupin 10.000–50.000 banorë.
Kjo tregon se madhësia e popullsisë ka pasur rol në përzgjedhjen e bashkive, por nuk rezulton të jetë përdorur si një prag automatik. Brenda të njëjtave kategori demografike ka bashki që preken nga reforma dhe të tjera që mbeten të pandryshuara.
Ku pozicionohen bashkitë sipas popullsisë?
Në kategorinë me 0–10.000 banorë janë 15 bashki: Përmet, Dropull, Tepelenë, Pukë, Memaliaj, Pustec, Kolonjë, Selenicë, Himarë, Fushë-Arrëz, Delvinë, Këlcyrë, Konispol, Libohovë dhe Poliçan.
Në grupin 10.000–50.000 banorë janë 33 bashki: Mirditë, Gjirokastër, Kukës, Skrapar, Devoll, Finiq, Mat, Pogradec, Klos, Roskovec, Cërrik, Belsh, Peqin, Tropojë, Maliq, Kavajë, Librazhd, Gramsh, Vau i Dejës, Divjakë, Shijak, Mallakastër, Përrenjas, Has, Kuçovë, Malësi e Madhe, Kurbin, Rrogozhinë, Sarandë, Bulqizë, Dimal, Patos dhe Vorë.
Në këtë kategori ndodhen edhe dy bashki qendër qarku: Kukësi dhe Gjirokastra.
Grupi 50.000–150.000 banorë përfshin 12 bashki: Berat, Shkodër, Korçë, Lezhë, Elbasan, Fier, Kamëz, Dibër, Lushnjë, Vlorë, Durrës dhe Krujë.
Në këtë grup ndodhen nëntë bashki që janë qendra qarqesh.
Ndërsa në kategorinë mbi 150.000 banorë qëndron vetëm Tirana, e cila historikisht ka mbajtur vendin e parë për nga popullsia, pavarësisht ndryshimeve të mëparshme territoriale.
Elbasani dhe Gjirokastra, qarqet me më shumë bashki të prekura
Një tjetër element që del në pah nga analiza është shpërndarja gjeografike e 15 shkrirjeve të propozuara.
Reforma nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë në 12 qarqet e vendit.
Elbasani dhe Gjirokastra janë qarqet më të prekura, me nga tre bashki të propozuara për shkrirje secili. Pas tyre renditen Fieri dhe Berati, me nga dy bashki.
Në qarqet Dibër, Korçë, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë propozohet shkrirja e nga një bashkie.
Ndërkohë, tre qarqe nuk preken fare nga propozimi: Durrësi, Kukësi dhe Lezha.
Në total, reforma prek 9 nga 12 qarqet e vendit, ndërsa në tre qarqe harta bashkiake mbetet e pandryshuar.
Por shifra më domethënëse është përqendrimi i shkrirjeve.
Vetëm katër qarqe – Elbasani, Gjirokastra, Fieri dhe Berati – përqendrojnë 10 nga 15 bashkitë e propozuara për shkrirje. Kjo përfaqëson rreth 67% të totalit.
Pra, pothuajse dy të tretat e bashkive që synohet të riorganizohen ndodhen në vetëm katër qarqe.
Madhësia është faktor, por jo i vetmi
Të dhënat që, Agron Haxhimali, ka publikuar tregojnë se madhësia e popullsisë nuk mund të injorohet në analizën e reformës. Shumica e bashkive të propozuara për shkrirje janë në dy kategoritë më të ulëta të popullsisë.
Por vetë shpërndarja brenda këtyre kategorive tregon se popullsia nuk ka funksionuar si kriter mekanik.
Nëse do të zbatohej një prag i vetëm demografik, të gjitha bashkitë që ndodhen nën një numër të caktuar banorësh do të duhej të trajtoheshin njësoj. Të dhënat e paraqitura nuk tregojnë një skemë të tillë.
Kjo e zhvendos debatin nga pyetja “sa banorë ka bashkia?” te një pyetje më e gjerë: cilat janë kriteret e tjera që duhet të përcaktojnë qëndrueshmërinë dhe eficiencën e një njësie vendore?
Reforma territoriale apo reforma e sistemit?
Sipas analizës, këto të dhëna nuk kanë për qëllim të argumentojnë se riorganizimi territorial duhet të kryhet domosdoshmërisht në çdo qark apo se një numër i caktuar bashkish është automatikisht më i mirë se një tjetër. Haxhimali thekson në analizën e tij se “Përtej hartës territoriale, sfida lidhet me mënyrën se si funksionon sistemi administrativ dhe financiar vendor.
Një bashki mund të jetë e vogël në numër banorësh, por pyetja është nëse kjo madhësi përkthehet domosdoshmërisht në mungesë kapaciteti. Në të njëjtën kohë, një bashki më e madhe nuk garanton automatikisht administrim më efikas, financa më të qëndrueshme apo shërbime më të mira”.
Për këtë arsye, sipas kësaj analize, reforma nuk duhet të ndalet vetëm te ndryshimi i hartës. Ajo duhet të shoqërohet me një reformë të sistemit administrativ dhe financiar vendor. /ekofin.al

