Rreth 143 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në një apo më shumë punëdhënës do të duhet të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, njohur e emrin DIVA.
Përfaqësuesja e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Alketa Çabej, në një intervistë për Vizion Plus, bëri të ditur se këtë detyrim e ka çdo individ që ka të ardhura në masën 1.2 milionë lekë në vit dhe nuk është i dypunësuar sikurse edhe çdo person i dy apo më shumë punësuar, pavarësisht të ardhurave.
“Njësoj si biznesi që bën një bilanc, ashtu edhe individi do të duhet të bëjë një bilanc të të ardhurave të tij. Pavarësisht se individit i mbahet tatim në burim nga paguesi i të ardhurës, megjithatë ka detyrimin ta deklarojë”, theksoi ajo.
Sipas Çabejt, individi duhet të deklarojë edhe të ardhurat personale për të cilat nuk është mbajtur tatim në burim, si të ardhurat nga qiraja, pronësia intelektuale, interesat e investimeve në bono, apo ato nga depozitat në momentin që i tërheq.
“Do të duhet të deklarojnë të ardhurat që përfitojnë nga një depozitë bankare, interesat e tyre, apo nga investimi në bono thesari, duhet të deklarojnë edhe kontratat e shërbimit që kanë në fuqi edhe për shërbime i ofrojnë jashtë vendit. Subjekt i deklarimit janë të ardhurat që gjenerohen brenda dhe jashtë kufirit. Duhet të deklarojnë çdo të ardhur nga shitja e një pasurie apo nga dhënia me qira e një të tille, siç janë apartamentet në platformat online si “booking” dhe “Airbnb”“, u shpreh ajo.
Çabej theksoi se individët do të duhet t’i deklarojnë te formulari që njihet me ermin DIVA, që gjendet në faqen e tatimeve, pasi të jetë regjistruar. Afati i fundit është data 31 mars 2025.
Një vit më parë këtë detyrim e kishin vetëm ata që kishin të ardhura vjetore 2 milionë lekë. Këtë vit kufiri është ulur në 1.2 milion lekë bruto. Në rast se individët nuk e plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, penaliteti nis me 3 mijë lekë dhe më pas aplikohen kamatëvonesa. /vizionplus

