Pagesat nga buxheti i shtetit për kontratat koncesionare dhe partneritetet publik-private me mbështetje buxhetore arritën në 13.36 miliardë lekë në vitin 2025, ose rreth 134 milionë euro. Krahasuar me vitin 2024, kur pagesat faktike ishin 13.29 miliardë lekë, shpenzimet për PPP-të u rritën me rreth 65.4 milionë lekë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për vitin 2025 rezultojnë 11 kontrata koncesionare/PPP të miratuara me mbështetje buxhetore, por pagesa faktike janë kryer për 10 kontrata. Fondet e planifikuara në buxhetin e vitit 2025, pas ndryshimeve, ishin 13.68 miliardë lekë, ndërsa pagesat faktike arritën në 13.36 miliardë lekë, ose 97.6% të planit. Kjo do të thotë se pagesat ishin rreth 324 milionë lekë më të ulëta se plani i ndryshuar.
Kontrata më e shtrenjtë për buxhetin edhe në vitin 2025 mbeti Rruga e Arbrit, për të cilën u paguan 3.36 miliardë lekë. Megjithatë, pagesat për këtë kontratë ishin disi më të ulëta se në vitin 2024, kur kishin arritur në 3.5 miliardë lekë. Kjo do të thotë se për Rrugën e Arbrit u paguan rreth 144 milionë lekë më pak se një vit më parë.
Pas Rrugës së Arbrit, pagesat më të larta u përqendruan te kontratat në sektorin e shëndetësisë. Koncesioni i sterilizimit të instrumenteve kirurgjikale mori 1.9 miliardë lekë në vitin 2025, që ishte edhe viti i fundit i kësaj kontrate, nga 1.76 miliardë lekë në vitin 2024. Kjo përbën një rritje prej rreth 144 milionë lekësh. Ndërkohë, koncesioni i laboratorëve mjekësorë mori 1.89 miliardë lekë, nga 1.80 miliardë lekë një vit më parë, me rritje prej rreth 91 milionë lekësh.
Në total, katër kontratat e shëndetësisë, që përfshijnë check-up-in, sterilizimin, hemodializën dhe laboratorët, morën rreth 5.59 miliardë lekë në vitin 2025. Në vitin 2024, pagesat për këto kontrata ishin rreth 5.33 miliardë lekë. Më konkretisht, kontratat PPP të shëndetësisë u rritën me rreth 257 milionë lekë brenda një viti.
Për kontratën e check-up-it u paguan 860 milionë lekë në vitin 2025, përkundrejt 876 milionë lekë që ishin paguar në vitin 2024. Për hemodializën, pagesat u rritën nga 894 milionë lekë në 932 milionë lekë.
Në sektorin e infrastrukturës, përveç Rrugës së Arbrit, buxheti pagoi 588.7 milionë lekë për kontratën e mirëmbajtjes së autostradës Milot–Morinë, nga 608.6 milionë lekë në vitin 2024. Për rrugën Porti i Jahteve–Bypass Orikum–Dukat, Ura e Shën Elizës, pagesa faktike ishte 762.5 milionë lekë, nga 786.4 milionë lekë një vit më parë.
Një tjetër kontratë me peshë është ajo për skanimin e kontejnerëve dhe automjeteve në Republikën e Shqipërisë, për të cilën u paguan 1.44 miliardë lekë në vitin 2025, nga 1.41 miliardë lekë në vitin 2024.
Për kontratën e arsimit në Bashkinë e Tiranës, që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës arsimore, pagesat ishin 707.6 milionë lekë, pak më të ulëta se 722.1 milionë lekë në vitin 2024.
Ndërsa për kontratën e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë, pagesa faktike ishte 913.1 milionë lekë në vitin 2025, nga 931.4 milionë lekë në vitin 2024. Kjo kontratë pati nivelin më të ulët të realizimit kundrejt planit, me 77.4%, pasi plani i ndryshuar për vitin 2025 ishte 1.18 miliardë lekë. /ekofin.al


