Shqiptarët vijojnë të dalin nga vendi, ndërkohë që rritet numri i të huajve që hyjnë në Shqipëri për qëllime biznesi.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit Shtator 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.794.274 shtetas shqiptar dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 8,7 %, krahasuar me Shtator 2023. 1.927.816 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 12,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në shtator 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 648.184, duke pësuar një rritje me 18,6 %, krahasuar me Shtator 2023. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.146.090. Ky numër është rritur me 3,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

698.268 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, në shtator duke shënuar rritje me 14,2 %, krahasuar me Shtator 2023. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2024, janë 1.229.548. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 11,7 %.
Në Shtator 2024, 95 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 69 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 12 %.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Shtator 2024, ky tregues ka shënuar një rritje me 0,9%, krahasuar me Shtator 2023. Rritje të ndjeshme në muajin Shtator kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 60,9%. /ekofin.al

