Vetëm shtatë ditë nga hapja e aplikimeve, 11,720 fermerë kanë depozituar kërkesat për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026. Shifra është konfirmuar për Ekofin.al nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Aplikimet janë për fondin prej 5.2 miliardë lekësh, ose rreth 52 milionë euro, që qeveria ka vënë në dispozicion të sektorit.
Aplikimet do të vijojnë deri më 26 qershor, ndërsa ritmi i ditëve të para lë të kuptohet se numri i përfituesve potencialë mund të jetë ndër më të lartët e viteve të fundit.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, skema e këtij viti vjen me ndryshime të rëndësishme, disa prej të cilave kanë krijuar paqartësi në terren. Më e diskutuara është heqja e subvencionimit të naftës si masë më vete mbështetëse, një instrument nga i cili kanë përfituar për vite me radhë mijëra fermerë.
Ndryshimi konsiderohet veçanërisht i ndjeshëm në një kohë kur kostot e mekanizimit mbeten të larta dhe karburanti vijon të jetë një nga zërat kryesorë të shpenzimeve në bujqësi. Në skemat e kaluara, dhjetëra mijëra fermerë aplikonin pikërisht për mbështetjen me naftë, çka e bën këtë ndryshim një nga elementët me ndikimin më të madh në perceptimin e fermerëve për skemën e re.
Nga ana tjetër, fondi i vitit 2026 synon të zgjerojë bazën e përfituesve përmes uljes së pragjeve në blegtori. Janë lehtësuar kriteret për fermat e gjedhit, deleve dhe dhive, është shtuar mbështetja për fermat e derrave dhe janë rritur fondet për bletarinë, sektorë që prej vitesh po përballen me tkurrje të aktivitetit dhe rritje të kostove.
Një tjetër risi është subvencionimi i sipërfaqeve të mbjella me 10 mijë lekë për hektar për fermerët që disponojnë të paktën tre hektarë tokë të kultivuar.
Masa synon të nxisë përdorimin e tokës bujqësore dhe formalizimin e aktivitetit, megjithëse zbatimi i saj pritet të përballet me sfida që lidhen me dokumentacionin e pronësisë, një problem i kahershëm në zonat rurale.
Pjesa më e madhe e fondit, rreth 25 milionë euro, është rezervuar për investime në bujqësi. Financimi do të mbulojë mekanizimin, pajisjet bujqësore, modernizimin e fermave dhe investime të tjera prodhuese. Megjithatë, kufiri i mbështetjes për mekanizimin deri në 500 mijë lekë kufizon mundësinë e financimit të mjeteve më të kushtueshme, si traktorët, duke e orientuar mbështetjen drejt pajisjeve ndihmëse dhe makinerive të lehta.
Skema ruan gjithashtu mbështetjen për fermat organike dhe certifikimin Global GAP, dy instrumente që synojnë afrimin e prodhimit shqiptar me standardet europiane. Në të njëjtën linjë, subvencionohet edhe përdorimi i metodave biologjike në sera për reduktimin e pesticideve dhe rritjen e sigurisë ushqimore.
Por ndërsa fondet synojnë modernizimin e sektorit, sfidat e bujqësisë shqiptare mbeten më të gjera. Problemet klimatike, veçanërisht ngricat e pranverës, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pemëtari gjatë këtij viti, ndërsa shumë kultura bujqësore vijojnë të përballen me rritjen e kostove të prodhimit dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Pikërisht për këtë arsye, suksesi i skemës nuk do të matet vetëm me numrin e aplikimeve, por me aftësinë për t’i kthyer fondet në investime reale dhe mbështetje efektive për fermerët. Interesi i lartë i javës së parë tregon se kërkesa ekziston. Sfida e radhës mbetet shpërndarja e fondeve dhe garantimi që buxheti prej 52 milionë eurosh të arrijë tek ata që kanë më shumë nevojë për të.
