Viti 2024 po mbyllet me nivele rekord kreditimi, edhe pse për nëntorin kredia e re shënoi ngadalësim për të dytin muaj rradhazi. Sipas të dhënave të fundit të BSH, për periudhën janar-nëntor kredi e re e akorduar nga bankat tregtare arriti në 331.9 miliardë Lekë, me rritje prej mbi 21% krahasuar me 11-mujorin e vitit 2023, i cili përsëri vlerësohet si një vit i mirë për kredidhënien.
Për muajin nëntor, kredia e re shënoi rënie me 10%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ndikim në rënien e kreditimit ka patur kursi i këmbimit, ndërkohë që në anën tjetër ulja e normave bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë deri në 2.75% ndikoi në rritjen e kredisë së re në Lekë.
Rritje shënoi edhe portofoli total i kredisë, si për individët, ashtu edhe për bizneset, me bazë 11-mujore. Kështu, kredia për individët arriti në 318.7 milionë lekë, ose 13.4% më shumë sesa një vit më parë. Ndërsa kredia për bizneset arriti në 464.2 milionë lekë, me një rritje prej 14.4%.
Kredia për pasuritë e paluajshme zë pjesë kryesore të portofolit të kredisë për individët, ndërkohë që gjatë vitit 2024 ka shënuar përmirësim edhe kredia konsumatore. Rritja e kreditimit do të ishte edhe më e madhe nëse do të zhvishej nga zhvlerësimi i mëtejshëm i euros gjatë vitit 2024.

