Përgjatë vitit 2024, Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë shtetas të huaj, duke konfirmuar kështu një tjetër vit shumë të mirë për turizmin, pas 2023. Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, rritja krahasuar me vitin e kaluar ishte 15.2%. Një tjetër lajm i mirë është edhe shtrirja dhe diversifikimi i hyrjes së vizitorëve të huaj përgjatë gjithë vitit, duke konfirmuar tashmë se Shqipëria është bërë një destinacion gjithëvjetor.
Madje përgjatë muajve të verës, rritja krahasuar me 2023, nuk ishte shumë domethënëse, kjo për shkak edhe se në muajt e verës u vu re një rritje e ndjeshme e çmimeve, sidomos në strukturat akomoduese.
Sa i përket vendeve nga kanë ardhur vizitorët e huaj, Evropa vijon të mbajë peshën kryesore, me 9.7 milionë shtetas që kanë ardhur nga kontinenti evropiane dhe kryesisht një pjesë e konsiderueshme nga Evropa Jugore. Megjithatë, është shënuar rritje edhe e shtetasve nga Afrika, Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, si edhe Azia e Jugut, ndërkohë që në rënia krahasuar me 2023 paraqitet hyrja e shtetasve nga Lindja e Mesme.
Të huaj kanë ardhur kryesisht për pushime, por sigurisht që nuk kanë munguar edhe vizitat për qëllime biznese, por në një numër shumë më të vogël, vetëm rreth 212 mijë prej tyre. Megjithatë, krahasuar me vitin 2023, edhe hyrjet për qëllime biznesi shënuan rritje të konsiderueshme, me afro 70%.
Ndërkohë që të huajt kanë ardhur në shifra rekord, edhe shqiptarët vitin e kaluar lëvizën edhe më shumë jashtë vendit. Sipas shifrave, 7.8 milionë shqiptarë kanë dalë nga kufijtë e vendit përgjatë gjithë vitit, një shifër kjo me rritje prej 14% krahasur me vitin 2023. /ekofin.al


