Flota e automjeteve në Shqipëri vijon të mbetet e dominuar nga mjetet me naftë, por regjistrimet tregojnë se automjetet elektrike po fitojnë gradualisht terren. Të dhënat për periudhën janar–qershor 2026 tregojnë se në vend janë të regjistruara 48,830 mjete, nga të cilat 5,714 janë elektrike, ndërsa pjesa dërrmuese vazhdon të përdorë motorë me naftë ose benzinë.
Sipas statistikave të DPSHTRR, 25,870 mjete, ose rreth 53% e totalit, janë me naftë, duke konfirmuar se ky mbetet karburanti dominues në tregun shqiptar. Në vend të dytë renditen automjetet me benzinë, me 13,491 mjete ose rreth 28% të flotës së regjistruar.
Ndërkohë, automjetet elektrike kanë arritur në 5,714 njësi, duke përfaqësuar afro 11.7% të totalit të mjeteve të regjistruara për këtë vit. Një segment më i vogël përbëhet nga automjetet benzinë/gaz, me 1,482 mjete, ndërsa automjetet hibride zënë një pjesë ende të kufizuar.
Rritja e numrit të mjeteve elektrike sinjalizon një ndryshim gradual të preferencave të konsumatorëve, të nxitur nga kostot më të ulëta të përdorimit, lehtësitë fiskale dhe interesi në rritje për transport më pak ndotës. Megjithatë, pesha e tyre mbetet ende modeste krahasuar me automjetet tradicionale, duke reflektuar edhe faktin se infrastruktura e karikimit dhe çmimi i blerjes vazhdojnë të jenë sfida për zgjerimin më të shpejtë të këtij segmenti.
Nga ana tjetër, struktura e flotës tregon se tregu shqiptar vazhdon të mbështetet kryesisht te automjetet e përdorura, të cilat importohen kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian. Kjo vihet re edhe nga përbërja sipas kategorive të mjeteve, ku dominojnë automjetet dhe mjetet e punës me motorë me naftë. /ekofin.al

