Qeveria ka miratuar krijimin e Fondit të Gjelbër të Pemëve, një mekanizëm i ri që synon rritjen e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe integrimin e elementeve të gjelbërimit në zhvillimin e territorit. Vendimi përcakton rregullat për funksionimin dhe administrimin e fondit, si edhe detyrimet që do të kenë ndërtuesit dhe subjektet që përdorin hapësirat publike.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, fondi do të funksionojë si një fond fizik i përbërë nga fidanë dhe pemë për mbjellje dhe do të administrohet në nivel qendror nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit. Fondi do të përdoret për mbjelljen e fidanëve dhe pemëve, rehabilitimin e hapësirave të gjelbëruara dhe mirëmbajtjen e tyre.
AZHT do të jetë përgjegjëse për krijimin e stokut kombëtar të fidanëve dhe pemëve, planifikimin kombëtar të nevojave për gjelbërim në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministrinë përgjegjëse për mjedisin, si edhe për shpërndarjen e fidanëve dhe pemëve për projekte publike nga institucionet qendrore dhe vendore.
Vendimi parashikon detyrime të reja për subjektet zhvilluese që pajisen me leje ndërtimi. Për objektet rezidenciale dhe turistike do të kërkohet mbjellja e 1 peme për çdo 30 m² sipërfaqe ndërtimi, por jo më pak se 20 pemë për çdo kat ndërtimi dhe jo më shumë se 500 pemë për çdo leje ndërtimi.
Për vilat apo shtëpitë individuale të banimit është vendosur detyrimi për 10 pemë për çdo objekt. Po ashtu, për magazinat bujqësore dhe industriale kërkohet mbjellja e 10 pemëve. Për centralet e prodhimit të energjisë është përcaktuar detyrimi për 10 pemë për çdo MW kapacitet, por jo më shumë se 500 pemë për çdo leje ndërtimi.
Kontributi do të realizohet nëpërmjet dorëzimit dhe mbjelljes fizike të fidanëve dhe pemëve në zonat e përcaktuara nga AZHT, pas bashkërendimit me njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Vendimi përcakton se përpara lëshimit të lejes së ndërtimit, subjekti zhvillues duhet të depozitojë një deklaratë përgjegjësie ku angazhohet për përmbushjen e detyrimit për mbjelljen e pemëve. Certifikata e përdorimit për objektin do të lëshohet vetëm pasi autoriteti përgjegjës të marrë konfirmimin nga struktura përkatëse e bashkisë për realizimin e mbjelljeve.
Detyrime të reja janë vendosur edhe për subjektet që përdorin hapësirat publike. Çdo person fizik ose juridik që pajiset me leje për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve në hapësira publike do të duhet të kontribuojë në fond me raportin 1 pemë për çdo tavolinë. Kontributi mund të realizohet fizikisht ose përmes pagesës së ekuivalentit në lekë për fondin e gjelbër të bashkisë përkatëse.
Për administrimin e fondit do të krijohet një regjistër elektronik në sistemin e-Leje, ku do të regjistrohen fidanët dhe pemët e mbjella, shpërndarja sipas zonave, data e mbjelljes dhe statusi i mirëmbajtjes. Ky regjistër do të ndërtohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Institucionet publike që kërkojnë pemë nga fondi duhet të paraqesin pranë AZHT-së dokumentacionin përkatës, përfshirë relacionin për projektin, të dhënat për vendndodhjen dhe numrin e pemëve të kërkuara. Shpërndarja e pemëve do të bëhet në bazë të prioriteteve të zhvillimit të territorit dhe nevojave publike për projekte të gjelbëruara. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. /ekofin.al
