Banka Evropiane e Investimeve ka investuar një vlerë rekord prej 1,2 miliardë eurosh në Ballkanin Perëndimor në vitin 2023. 365 milionë euro më shumë investime se në vitin 2022. Pjesa më e madhe e investimeve ka shkuar për projekte në transport, energji dhe bizneset e vogla e të mesme, ndërkohë që në Shqipëri Banka ofroi mbështetje për përgatitjen dhe zbatimin e një projekti të shpërndarjes së ujit në kryeqytet.
Banka Evropiane e Investimeve synon të mobilizojnë mbi 6 miliardë euro në investime të reja në rajon. Shifrat janë bërë publike përmes një deklarate zyrtare të BEI Globale, krahu financiar i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) për aktivitete jashtë BE-së. Në deklaratë Banka bën me dije se volumi i investimeve ishte 365 milionë euro më shumë se në 2022. Investimet shkuan në projekte të qëndrueshme dhe të tranzicionit energjetik që mbështesin përpjekjet e rajonit për anëtarësim në BE, si dhe përpjekjet ekonomike, klimatike dhe ato të lidhjes.
Financimet do kontribuojnë në lidhjen, tranzicionin e energjisë dhe rritjen e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, në përputhje me prioritetet e BE. Specifikisht për Shqipërinë, Banka ofroi mbështetje teknike këshillimore për përgatitjen dhe zbatimin e një projekti të shpërndarjes së ujit në Tiranë.
Ndërkaq, pjesa më e madhe e fondeve të reja (58%, ose 693 milionë euro) është ndarë për transport më të sigurt dhe të qëndrueshëm, përkatësisht për linjat hekurudhore në Serbi (Beograd-Nish) dhe Maqedoninë e Veriut (Kriva-Palanka-kufiri me Bullgarinë). Banka e BE-së nënshkroi fonde shtesë për modernizimin e transportit urban në Sarajevë dhe një projekt për rehabilitimin dhe sigurinë e rrugëve në Serbi. 275 milionë euro (23% e financimit total në 2023) iu kushtuan mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme (NVM) në Ballkanin Perëndimor. Fondet e mbetura do të shkojnë për projektet e energjisë, ujit, shëndetësisë dhe arsimit.
Fondi Evropian i Investimeve, pjesë e Grupit të BEI-t, ka filluar zbatimin e instrumentit të një garancie për qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, që pritet të zhbllokojë rreth 700 milionë euro për këto kompani në rajon.