Ndryshimet klimatike nuk po maten më vetëm me rekordet e temperaturave apo valët e të nxehtit që godasin Evropën çdo verë. Ato po reflektohen gjithnjë e më qartë edhe në faturat e energjisë së familjeve. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se konsumatorët evropianë po shpenzojnë gjithnjë e më shumë energji për të mbajtur të freskëta banesat e tyre, ndërsa përdorimi i sistemeve të ajrit të kondicionuar po kthehet nga një zgjedhje komoditeti në një domosdoshmëri.
Statistikat tregojnë se në vitin 2024 familjet në Bashkimin Evropian konsumuan 80,4 mijë teraxhaul (TJ) energji për ftohjen e ambienteve, dy herë më shumë krahasuar me vitin 2018, kur ky konsum ishte 40,5 mijë teraxhaul. Brenda vetëm gjashtë vitesh, kërkesa për energji të dedikuar ftohjes është rritur me rreth 100%, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të klimës mbi mënyrën e jetesës dhe konsumin energjetik të qytetarëve.
Prirja është pothuajse e pandërprerë. Eurostat evidenton se konsumi është rritur çdo vit që nga viti 2018, me përjashtim të viteve 2020 dhe 2023, kur u regjistruan ulje të lehta përkatësisht me 2,5% dhe 1,9% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, këto luhatje nuk kanë ndryshuar tendencën afatgjatë, e cila dëshmon se temperaturat në rritje po e bëjnë gjithnjë e më të domosdoshëm përdorimin e pajisjeve për ftohjen e banesave.
Rritja më e madhe e konsumit regjistrohet në vendet e Evropës Jugore, të cilat përballen çdo verë me temperatura ekstreme. Italia kryeson Bashkimin Evropian me 26,3 mijë teraxhaul energji të përdorur për ftohjen e banesave gjatë vitit 2024. Pas saj renditet Spanja me 14,3 mijë teraxhaul dhe Greqia me 11,9 mijë teraxhaul. Klima mesdhetare, sezonet e gjata të verës dhe përdorimi masiv i sistemeve të kondicionimit kanë bërë që këto vende të dominojnë në konsumin total të energjisë për ftohje.
Megjithatë, kur analiza fokusohet jo tek sasia totale e energjisë së konsumuar, por tek pesha që ftohja zë në buxhetin energjetik të familjeve, panorama ndryshon. Qipro dhe Malta rezultojnë vendet më të varura nga energjia për ftohjen e banesave. Në Qipro, 16% e gjithë energjisë së konsumuar nga familjet përdoret vetëm për ftohje, ndërsa në Maltë kjo peshë arrin në 15%. Edhe Greqia shfaq një varësi të konsiderueshme, ku 7,4% e konsumit final të energjisë së familjeve lidhet me përdorimin e kondicionerëve dhe sistemeve të tjera të ftohjes.
Në të kundërt, megjithëse Italia dhe Spanja kanë konsumin më të lartë në vlerë absolute, pesha e energjisë për ftohje në raport me konsumin total të familjeve mbetet relativisht më e ulët, përkatësisht 2,3% në Itali dhe 2,5% në Spanjë. Kjo shpjegohet me faktin se familjet në këto vende kanë një konsum të përgjithshëm energjie shumë më të lartë për nevoja të tjera, si ngrohja, transporti apo përdorimi i pajisjeve elektrike.
Eurostat sqaron se konsumi final i energjisë përfaqëson energjinë që arrin tek konsumatori përfundimtar, duke përfshirë familjet, industrinë, bujqësinë dhe sektorin e shërbimeve. Në këtë kategori nuk përfshihet energjia që përdoret nga vetë sektori energjetik për prodhimin, transformimin apo shpërndarjen e energjisë. Për familjet, konsumi final përfshin energjinë e përdorur për ngrohje, ftohje, ndriçim, gatim dhe funksionimin e pajisjeve elektroshtëpiake.
Shifrat e publikuara nga Eurostat japin një sinjal të qartë se ndryshimet klimatike po transformojnë strukturën e kërkesës për energji në Evropë. Nëse deri pak vite më parë sfida kryesore ishte sigurimi i energjisë për ngrohjen gjatë dimrit, tashmë edhe periudha e verës po ushtron presion të konsiderueshëm mbi sistemet energjetike. Valët e të nxehtit po zgjasin më shumë, temperaturat maksimale po thyhen çdo vit dhe përdorimi i kondicionerëve po rritet në mënyrë të vazhdueshme.
Ky zhvillim ka pasoja të rëndësishme për politikat energjetike të vendeve evropiane. Rritja e konsumit gjatë muajve të verës kërkon investime të reja në rrjetet elektrike, rritje të kapaciteteve prodhuese dhe zgjerim të burimeve të rinovueshme, në mënyrë që kërkesa të përballohet pa krijuar mungesa apo rritje të mëdha të kostove.
Edhe për Shqipërinë, megjithëse nuk përfshihet në statistikat e Eurostat për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, tendenca është e ngjashme. Temperaturat rekord të viteve të fundit dhe rritja e përdorimit të pajisjeve të kondicionimit kanë shtuar ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike gjatë sezonit veror. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm investimin në eficiencën energjetike të ndërtesave, izolimin termik, pajisjet me konsum të ulët dhe zgjerimin e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. Në të kundërt, vera rrezikon të shndërrohet në sezonin me barrën më të madhe për sistemin energjetik dhe për buxhetet e familjeve, duke e bërë ftohjen një nga sfidat kryesore të tranzicionit energjetik në vitet që vijnë./ekofin.al

