Ministria e Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime në ligjin nr. 29/2024 “Për burimet ujore”, i cili synon të rishpërndajë disa kompetenca institucionale dhe të transferojë një pjesë të rolit vendimmarrës nga Kryeministri te ministri përgjegjës për mjedisin.
Ndryshimet parashikojnë që në një sërë dispozitash ku ligji aktual përcakton se vendimet e Këshillit të Ministrave merren “me propozimin e Kryeministrit”, kjo formulë të zëvendësohet “me propozim të ministrit”, duke i dhënë kështu ministrit të Mjedisit rolin kryesor në nismat dhe propozimet për politikat në sektorin e burimeve ujore.
Ligji nr. 29/2024 hyri në fuqi në tetor të vitit 2024, por në më pak se dy vjet nga hyrja në fuqi pritet të pësojë ndryshime që prekin organizimin institucional dhe mënyrën e ushtrimit të kompetencave në këtë sektor.
Sipas relacionit shoqërues, nevoja për ndërhyrje ligjore lidhet me gjetjet e raportit të SiGMA-s për “Forcimin e qendrës së qeverisjes në Shqipëri”, i cili analizon shpërndarjen e përgjegjësive në nivel qendror dhe vë në dukje një nivel të lartë centralizimi në strukturën e administratës shtetërore.
Dokumenti evidenton se aktualisht 26 autoritete dhe agjenci raportojnë drejtpërdrejt te zyra e Kryeministrit, duke krijuar një ngarkesë të konsiderueshme në qendrën e vendimmarrjes. Në këto kushte, është rekomanduar reduktimi i numrit të institucioneve që varen drejtpërdrejt nga Kryeministri dhe rishpërndarja e tyre në ministritë përkatëse sipas fushave të përgjegjësisë. Një nga institucionet e përmendura në këtë analizë është Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, për të cilën është sugjeruar që të vendoset në varësi të ministrit përgjegjës për infrastrukturën, energjinë ose mjedisin.
Nga këto alternativa është vlerësuar si më e përshtatshme që agjencia të kalojë në varësi të Ministrisë së Mjedisit. Sipas argumentimit që shoqëron projektligjin, ky konfigurim është më i harmonizuar me acquis të Bashkimit Evropian për menaxhimin e ujërave, i cili e trajton ujin si një element ekologjik dhe mjedisor. Gjithashtu, fusha e përgjegjësisë së Ministrisë së Mjedisit lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e ekosistemeve dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke e bërë më të natyrshme që edhe administrimi i burimeve ujore të vendoset nën të njëjtën strukturë institucionale. Për këtë arsye, ndryshimet e propozuara synojnë të pasqyrojnë në ligj kalimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore në varësi të kësaj ministrie dhe të përcaktojnë më qartë rolin e saj në menaxhimin dhe administrimin e burimeve ujore, thuhet në dokument.
Një nga ndryshimet konkrete lidhet me mënyrën e funksionimit të strukturave të menaxhimit të baseneve lumore. Projektligji parashikon që Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore të hartojë rregulloren e funksionimit të Këshillit të Basenit Lumor dhe t’ia paraqesë atë ministrit për miratim. Në këtë kuadër, në nenin 10 të ligjit shtohet një dispozitë e re që përcakton se rregullorja e funksionimit të këtij këshilli do të miratohet nga ministri, duke transferuar kështu një kompetencë që më parë lidhej me nivele më të larta të vendimmarrjes.
Ligji aktual përmban gjithashtu disa dispozita ku Këshilli i Ministrave miraton akte të rëndësishme me propozimin e Kryeministrit, të cilat me ndryshimet e propozuara pritet të kalojnë në kompetencë propozimi të ministrit të Mjedisit. Mes tyre përfshihet metodologjia për llogaritjen e tarifave për përdorimin e burimeve ujore, si dhe kërkesat për përmbajtjen, hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore, dokumenti kryesor strategjik që orienton politikat në këtë sektor.
Ligji përcakton gjithashtu një sërë afatesh për zbatimin e tij dhe për nxjerrjen e akteve nënligjore përkatëse. Sipas parashikimeve, brenda muajit prill të vitit 2026 duhet të hartohet dhe miratohet projekti pilot për monitorimin e statusit të ujërave, ndërsa dy muaj pas hyrjes në fuqi të këtij projekti Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore duhet të hartojë planin vjetor për monitorimin e ujërave. Këto mekanizma synojnë të krijojnë një sistem të qëndrueshëm monitorimi për gjendjen ekologjike dhe kimike të trupave ujorë në vend, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Ligji gjithashtu zgjeron kompetencat e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit për dhënien e lejeve dhe autorizimeve për përdorimin e burimeve ujore dhe për shkarkimet në rastet kur veprimtaria kërkon edhe pajisjen me leje ndërtimi, duke parashikuar edhe në rastet kur veprimtaria do të kryhet në një zonë që i kalon kufijtë e një baseni ujëmbledhës.
Ndryshimet e propozuara pritet të riformatojnë mënyrën se si organizohet dhe drejtohet sektori i ujërave në Shqipëri, duke zhvendosur një pjesë të përgjegjësive nga qendra e qeverisjes drejt ministrisë përgjegjëse për mjedisin dhe duke synuar një koordinim më të mirë të politikave për menaxhimin e integruar të burimeve ujore. /ekofin.al

