Më pak se tre vite nga miratimi, ligji “Për fondet e pensionit privat”, ai pritet të ndryshojë sërish. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar ndryshimet në konsultim publik. Ato synojnë përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian për pensionet profesionale.
Ekofin.al ka analizuar në detaje të gjjtha ndryshimet që pritet të pësojë ligji. Për herë të parë futen në legjislacion konceptet e institucioneve të pensionit profesional (IORP), transferimet ndërkufitare të skemave pensionale, skemat me përfitime të përcaktuara, funksioni aktuarial, si dhe një sërë mekanizmash të rinj për administrimin e riskut dhe mbrojtjen e anëtarëve.
Një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë në treg është hapja e sektorit për kompanitë e sigurimit të jetës. Deri tani administrimi i fondeve të pensionit privat kryhej vetëm nga shoqëritë administruese të licencuara posaçërisht për këtë veprimtari. Me ndryshimet e propozuara, edhe shoqëritë e sigurimit të jetës do të mund të krijojnë dhe administrojnë fonde pensioni private, pasi të marrin miratimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Gjithsesi, kjo pritet të ndodhë vetëm pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Projektligji vendos gjithashtu një kusht të rëndësishëm sigurie. Aktivet dhe detyrimet që lidhen me pensionet private duhet të mbahen të ndara nga aktivitetet e tjera të sigurimit. Ky mekanizëm, i njohur në terminologjinë europiane si “ring-fencing”, synon të garantojë që kursimet e anëtarëve të fondeve të pensionit të mos përdoren për qëllime të tjera dhe të mbeten të mbrojtura edhe në rast të vështirësive financiare të kompanisë.
Një tjetër risi e rëndësishme është futja për herë të parë e rolit të aktuarëve në tregun e pensioneve private. Deri më sot, aktuaret kanë qenë të lidhur pothuajse ekskluzivisht me sektorin e sigurimeve, ku luajnë një rol thelbësor në llogaritjen e rezervave teknike, vlerësimin e rreziqeve dhe garantimin e aftësisë paguese të kompanive të sigurimit.
Me projektligjin e ri, aktuaret bëhen pjesë edhe e sistemit të pensioneve private. Shoqëritë administruese do të detyrohen të krijojnë funksionin aktuarial në rastet kur fondi mbulon rreziqe biometrike, garanton performancën e investimeve ose premton një nivel të caktuar përfitimesh për anëtarët.
Funksioni aktuarial do të ketë një rol kyç në sistemin e qeverisjes së fondeve. Ai do të mbikëqyrë llogaritjen e provigjoneve teknike, do të vlerësojë modelet matematikore dhe financiare të përdorura, do të analizojë cilësinë e të dhënave mbi të cilat bazohen llogaritjet dhe do të raportojë pranë organeve drejtuese për besueshmërinë e rezervave të krijuara. Për më tepër, aktuari do të kontribuojë edhe në sistemin e administrimit të riskut dhe në vlerësimin e politikave të pranimit dhe mbulimit të rreziqeve.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu krijimin e një kuadri të plotë për fondet me përfitime të përcaktuara, të cilat do të lejohen vetëm në rastet e veprimtarive ndërkufitare. Në këto skema, përfitimi i pensionit përcaktohet paraprakisht, zakonisht në bazë të pagës dhe viteve të punës, ndryshe nga fondet aktuale me kontribute të përcaktuara ku pensioni varet nga kontributet e paguara dhe performanca e investimeve.
Pikërisht për këto fonde, projektligji fut konceptin e provigjoneve teknike, një mekanizëm që deri më sot nuk ekzistonte në legjislacionin shqiptar të pensioneve private. Shoqëritë administruese do të duhet të llogarisin çdo vit rezervat teknike të nevojshme për të mbuluar të gjitha detyrimet e ardhshme ndaj anëtarëve dhe pensionistëve.
Këto llogaritje do të certifikohen nga aktuarë të licencuar dhe do të bazohen në supozime prudenciale mbi jetëgjatësinë, paaftësinë për punë, normat e interesit dhe faktorë të tjerë demografikë e financiarë. Projektligji kërkon që normat e skontimit të bazohen në tregun e obligacioneve qeveritare dhe në metodologjitë e përdorura nga Autoriteti Europian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA).
Për herë të parë futet edhe detyrimi që fondet me përfitime të përcaktuara të jenë në çdo kohë plotësisht të financuara. Nëse rezervat bien nën nivelin e kërkuar, AMF do të ketë të drejtë të ndërhyjë menjëherë dhe të kërkojë masa korrigjuese për mbrojtjen e anëtarëve dhe përfituesve.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e reformës lidhet me forcimin e qeverisjes korporative. Projektligji zgjeron ndjeshëm kërkesat për organizimin e brendshëm të shoqërive administruese, duke i afruar ato me standardet që zbatohen në sektorin bankar dhe të sigurimeve. Përveç funksionit aktuarial, shoqëritë do të duhet të kenë struktura të dedikuara për administrimin e riskut, përputhshmërinë dhe auditimin e brendshëm.
Po ashtu, forcohen kërkesat për aftësinë dhe përshtatshmërinë e drejtuesve, anëtarëve të bordeve dhe personave që mbajnë funksione kyçe. AMF do të ketë kompetenca më të gjera për të vlerësuar integritetin, kualifikimet dhe përvojën profesionale të personave që drejtojnë këto institucione.
Projektligji sjell gjithashtu ndryshime të rëndësishme në mbrojtjen e anëtarëve. Për herë të parë parashikohen kërkesa shumë më të detajuara për informacionin që duhet t’u vihet në dispozicion kontribuuesve përpara anëtarësimit dhe gjatë gjithë periudhës së kursimit. Anëtarët do të informohen më qartë për kostot, komisionet, performancën e investimeve, rreziqet dhe të drejtat që rrjedhin nga pjesëmarrja në fond.
Në të njëjtën kohë, projektligji adreson edhe lëvizshmërinë e punëmarrësve. Futet koncepti i të drejtave pensionale të fituara, i përfituesve të shtyrë dhe i ruajtjes së të drejtave pensionale kur një punëmarrës ndryshon vend pune apo lëviz nga një shtet në tjetrin. Këto dispozita janë veçanërisht të rëndësishme në kuadër të integrimit europian dhe lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore.
Një kapitull i tërë i kushtohet veprimtarisë ndërkufitare, duke krijuar bazat ligjore për administrimin e skemave pensionale që përfshijnë sponsorë, punëmarrës dhe përfitues në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Për herë të parë rregullohen procedurat për transferimin e aktiveve dhe detyrimeve nga një institucion pensioni në tjetrin, si dhe bashkëpunimi ndërmjet AMF-së dhe autoriteteve homologe europiane.
Ndryshimet e propozuara forcojnë gjithashtu lidhjen e tregut shqiptar me strukturat europiane të mbikëqyrjes. AMF do të ketë detyrimin të komunikojë me Autoritetin Europian të Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA) dhe të shkëmbejë informacion mbi subjektet që operojnë në treg. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

