Ndërsa përshkallëzohet konflikti Izrael-Iran, rritet frika për sulme ndaj fushave të gazit natyror. Kjo mund të godasë rëndë furnizimin e Evropës me LNG (gaz natyror të lëngshëm), duke prekur edhe ekonomitë evropiane.
Rritja e çmimeve të energjisë në Evropë është një nga rreziqet e shumta që sjell kriza aktuale gjeopolitike, e cila kërcënon të bllokojë një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të karburanteve në botë. E kombinuar me luftën tregtare të shkaktuar nga tarifat e SHBA-së, ekziston frika se kriza mund të ndikojë negativisht në ekonominë globale.
Banka Botërore parashikon një rritje prej 2.3% për këtë vit, pas një norme prej 2.8% në vitin 2024.
Që prej 13 qershorit, kur Izraeli nisi sulmet ajrore ndaj infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore të Iranit, çmimet e naftës në tregjet globale janë rritur me mbi 10%. Çmimet e larta dhe ndërprerjet në furnizim, të kombinuara me pasojat e luftës tregtare, rrezikojnë të ulin prodhimin në shkallë globale.
Tregjet tashmë po përllogaritin rrezikun për furnizimin global me naftë dhe gaz të lëngshëm (LNG). Irani kontrollon ngushticën strategjike të Hormuzit, nëpër të cilën kalon një e treta e naftës së transportuar me anije dhe një e pesta e LNG-së globale. Nëse kjo rrugë bllokohet, çmimet mund të kapërcejnë lehtësisht 100 dollarë për fuçi. Aktualisht, një fuçi naftë bruto tregtohet mbi 75 dollarë, ndërsa Brent ndërkombëtar rreth 77 dollarë.
“Nuk pres që ngushtica të mbyllet,” tha Dr. Yousef Alshammari, President i Kolegji i Ekonomisë së Energjisë në Londër, për Euronews Business. Ai shtoi: “Thjesht sepse Irani ka nevojë që ngushtica të jetë e hapur për të furnizuar klientët e tij, Indinë dhe Kinën.”
Megjithatë, edhe pa u mbyllur zyrtarisht, vetë rreziku ka ndikuar në çmime. Disa cisterna nafte kanë refuzuar të kalojnë. Sipas Financial Times, kompania më e madhe e transportit të naftës me anije në botë, Frontline, ka deklaruar se nuk do të pranojë kontrata të reja për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, “kompanitë e sigurimeve pritet të rrisin çmimet, ndërsa Katari po përpiqet të vonojë dërgesat e LNG-së nëpër ngushticë,” shtoi Alshammari.
Fushat e gazit në rajon janë gjithashtu nën vëzhgim. Irani ndan me Katarin fushën më të madhe të gazit natyror në botë, South Pars. Gazin e lëngshëm (LNG) që vjen nga kjo zonë e përdorin shumë vende të botës, përfshirë Evropën.
Inflacioni dhe bizneset: Si ndikohet Evropa
Edhe pse aktualisht Bashkimi Evropian ka rezerva të mjaftueshme të LNG-së, varësia e tij nga tregjet globale e bën të ndjeshëm ndaj tronditjeve gjeopolitike, sidomos ndërkohë që po zvogëlon varësinë nga gazi rus.
Ndërsa tregu vlerësoi rrezikun e ndërprerjes së furnizimit, çmimet e gazit në Evropë u rritën ndjeshëm. Treguesi kryesor, TTF holandez, arriti një maksimum prej tre muajsh, duke iu afruar 41 euro/MWh të premten në mesditë.
Importet nga Katari mbulojnë afërsisht 10% të nevojave të Evropës për LNG. Vende të tjera të rajonit, përfshirë Egjiptin, eksportojnë gjithashtu LNG drejt Evropës. Por pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli mbylli pjesë të prodhimit të tij, duke detyruar Egjiptin të ndalojë eksportet e LNG-së dhe duke shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve në Evropë.
Aktualisht, Norvegjia ishte furnizuesi më i madh i gazit për BE-në në 2024, me mbi 33% të importeve. Të tjerë përfshijnë SHBA-në, Algjerinë, Katarin, MB-në, Azerbajxhanin dhe Rusinë.
Importuesit më të mëdhenj të LNG-së në BE janë Franca, Spanja, Italia, Holanda dhe Belgjika. Nëse dërgesat nga Katari ndërpriten, vendet më të prekura janë Belgjika, Italia dhe Polonia, të cilat e mbulojnë 38-45% të nevojave të tyre nga Katari, sipas Institutit për Ekonominë e Energjisë dhe Analizën Financiare (IEEFA).
Lajm i mirë është që në këtë periudhë të vitit kërkesa për gaz është zakonisht e ulët. Megjithatë, temperaturat më të larta se normalja po rrisin kërkesën për ftohje, çka mund të nxisë përdorimin e energjisë në javët në vijim.
“Rritja e çmimeve të energjisë shton inflacionin dhe mund të ndikojë në politikat e bankave qendrore,” tha Alshammari. Bankat si Rezerva Federale e SHBA-së dhe Banka e Anglisë po hezitojnë të ulin normat e interesit për shkak të pasigurisë në rritje. Nëse inflacioni vazhdon të jetë i lartë, dhe objektivi 2% largohet nga horizonti, mund të ketë shtrëngim të mëtejshëm monetar, duke rritur kostot për huamarrje dhe investime.
“Sipas Forgione, konflikti në Ukrainë bëri që BE të kërkojë LNG nga vende si Katari, në vend të Rusisë.” Ai shton se çdo kufizim në kalimin e LNG-së ndikon menjëherë në BE, veçanërisht në sektorin e prodhimit.
Kërkesa për naftë është më e larta në verë për shkak të aktivitetit industrial, por kufizimet aktuale të furnizimit dhe çmimet e larta mund të rëndojnë më tej sektorin prodhues.
Për bizneset evropiane që tashmë përballen me tensione tregtare për shkak të tarifave të SHBA-së, situata është “si të luash shah në katër dimensione”, tha Forgione. Ai parashikon se rritjet e papritura të çmimeve të naftës dhe tarifat e ulëta të transportit mund të çojnë në rritje të ndjeshme të çmimeve për konsumatorët, mungesa furnizimesh dhe shrinkflation – rasti kur një produkt zvogëlohet në sasi, por ruan të njëjtin çmim./ Përshtati nga Euronews, ekofin.al

