Ndryshimet klimatike, fenomenet ekstreme natyrore dhe emergjencat shëndetësore po ndryshojnë mënyrën se si ekonomitë dhe shoqëritë menaxhojnë rrezikun. Nëse dikur përmbytjet, zjarret apo tërmetet konsideroheshin ngjarje të rralla, sot ato po shfaqen me frekuencë dhe intensitet më të lartë, duke krijuar pasoja të mëdha financiare për familjet, bizneset dhe vetë shtetet.
Edhe rasti më i fundit i tërmetit shkatërrimtar që ka goditur së fundmi Venezuelën është një tjetër dëshmin se katastrofat natyrore janë të paparashikueshme.
Vetëm gjatë viteve të fundit, bota është përballur me humbje ekonomike që llogariten në qindra miliarda dollarë si pasojë e katastrofave natyrore. Përmbytjet, zjarret pyjore, stuhitë dhe valët e të nxehtit kanë goditur si vendet në zhvillim ashtu edhe ekonomitë më të avancuara, duke dëshmuar se askush nuk është imun ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike.
Europa ka përjetuar disa nga fenomenet më të forta klimatike të dekadës së fundit. Nga përmbytjet në Europën Qendrore deri te zjarret masive në rajonin mesdhetar, dëmet ekonomike janë rritur ndjeshëm. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre humbjeve është kompensuar nga sektori i sigurimeve, duke lehtësuar barrën financiare për qytetarët dhe për buxhetet publike.
Në Shqipëri, rreziku mbetet edhe më i lartë. Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 tregoi qartë kostot ekonomike dhe sociale që mund të sjellë një fatkeqësi natyrore. Përmbytjet sezonale, zjarret gjatë verës, rrëshqitjet e dherave dhe fenomenet ekstreme të motit vazhdojnë të jenë pjesë e realitetit me të cilin përballet vendi.
Edhe gjatë muajve të parë të vitit 2026, disa zona të vendit u prekën nga reshje intensive dhe përmbytje, duke rikthyer në vëmendje nevojën për rritjen e rezistencës financiare të familjeve dhe bizneseve. Në të njëjtën kohë, rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe kostove të shërbimeve e bën rikuperimin pas një dëmi shumë më të kushtueshëm se më parë.
Pikërisht në këtë pikë hyn në lojë roli i sigurimeve. Ekspertët e tregut vlerësojnë se sigurimi nuk duhet parë si një kosto shtesë, por si një instrument mbrojtjeje financiare. Nëpërmjet sigurimit, rreziku shpërndahet dhe dëmi nuk mbetet vetëm mbi familjen apo biznesin e prekur.
Për një familje, sigurimi i pronës mund të bëjë diferencën mes rikuperimit të shpejtë dhe humbjes së kursimeve të një jete. Për një biznes, ai garanton vazhdimësinë e aktivitetit dhe mbrojtjen e investimeve. Ndërsa për shtetin, një nivel më i lartë sigurimi nënkupton më pak presion mbi financat publike pas fatkeqësive natyrore.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë vlerëson se vendi vijon të ketë një nivel relativisht të ulët të sigurimit të pronës krahasuar me standardet europiane. Shumë qytetarë ende mendojnë për sigurimin vetëm pasi dëmi ka ndodhur, ndërkohë që eksperiencat e viteve të fundit kanë treguar se një tërmet, një zjarr apo një përmbytje mund të ndryshojnë jetën e një familjeje brenda pak minutash.
Po aq i rëndësishëm mbetet edhe sigurimi i shëndetit. Pandemia e Covid-19 tregoi se një emergjencë shëndetësore mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm mbi shëndetin e qytetarëve, por edhe mbi gjendjen e tyre financiare. Në këtë kuptim, sigurimi privat i shëndetit konsiderohet një plotësues i rëndësishëm i sistemit publik, duke ofruar më shumë mundësi dhe siguri për individët dhe familjet.
Në ekonomitë moderne, sigurimet konsiderohen pjesë e infrastrukturës së stabilitetit ekonomik. Sa më i lartë të jetë niveli i sigurimit të pronës, shëndetit dhe bizneseve, aq më rezistente bëhet ekonomia ndaj krizave dhe fatkeqësive. Për këtë arsye, rritja e kulturës së sigurimit nuk është vetëm interes i industrisë së sigurimeve, por interes i vetë ekonomisë kombëtare.
Në një kohë kur rreziqet po shtohen dhe kostot e rikuperimit po rriten, ekspertët nënvizojnë se koha për t’u mbrojtur është para se dëmi të ndodhë. Sigurimi nuk mund të ndalojë një tërmet, një zjarr apo një përmbytje, por mund të shmangë që një fatkeqësi natyrore të shndërrohet në një krizë financiare për familjet, bizneset dhe ekonominë e vendit.

