Ekonomia shqiptare po konsumon gjithnjë e më shumë burime natyrore, ndërsa eficienca në përdorimin e tyre ka pësuar rënie. Të dhënat më të fundit të INSTAT për vitin 2024 tregojnë një rritje të fortë të nxjerrjes dhe përdorimit të materialeve mjedisore, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit ekonomik, por njëkohësisht edhe presion më të madh mbi burimet natyrore.
Sipas raportit “Llogaritë e Flukseve të Materialeve Mjedisore 2024”, sasia e lëndëve të para të nxjerra nga burimet natyrore arriti në 23.1 milionë tonë, me një rritje prej 13.2% krahasuar me vitin 2023. Paralelisht, përdorimi i përgjithshëm i materialeve në ekonomi u rrit edhe më shpejt, duke arritur në 25.4 milionë tonë, ose 16.9% më shumë në bazë vjetore.
Kjo rritje lidhet ngushtë me zgjerimin e sektorëve si ndërtimi dhe industria, të cilët mbeten konsumatorët kryesorë të materialeve, veçanërisht të mineraleve jo metalike. Kjo kategori përbën 57% të materialeve të nxjerra në vend dhe 52% të përdorimit të brendshëm, duke konfirmuar rolin dominant të aktivitetit ndërtimor në ekonominë shqiptare . Biomasa zë rreth 30–31% të totalit, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes mineraleve metalike dhe materialeve fosile të energjisë.
Nga ana e tregtisë së jashtme, importet e materialeve arritën në 6.3 milionë tonë, me rritje 13.6%, ndërsa eksportet ranë me 5.2%, në 4.0 milionë tonë. Si pasojë, bilanci fizik tregtar u zgjerua në rreth 2.2 milionë tonë, duke treguar një varësi më të lartë neto nga materialet e importuara.
Megjithatë, varësia totale nga importet mbeti pothuajse e pandryshuar në 21.3%. Ajo është dukshëm më e lartë për materialet fosile të energjisë (51.8%) dhe mineralet metalike (41%), çka tregon se ekonomia shqiptare mbështetet ndjeshëm në tregjet e jashtme për këto kategori strategjike.
Një tregues i rëndësishëm që sinjalizon sfidat strukturore është përdorimi i materialeve për frymë. Në vitin 2024, ai arriti në 10.7 tonë për banor, nga rreth 9 tonë një vit më parë, duke reflektuar rritje të ndjeshme të konsumit material në ekonomi.
Por zhvillimi ekonomik nuk është shoqëruar me rritje të efikasitetit. Përkundrazi, produktiviteti i burimeve – që mat sa vlerë ekonomike gjenerohet për çdo kilogram material të përdorur – ra në 99 lekë/kg, nga 109 lekë/kg në vitin 2023. Kjo nënkupton se ekonomia po përdor më shumë burime për të prodhuar të njëjtën njësi vlere, duke sinjalizuar një ulje të eficiencës .
Këto të dhëna tregojnë një model zhvillimi ende të bazuar në konsum intensiv të materialeve, ku rritja ekonomike shoqërohet me presion më të lartë mbi mjedisin. Ndërkohë, sfida kryesore për vitet në vijim mbetet rritja e produktivitetit të burimeve dhe kalimi drejt një ekonomie më efikase dhe më pak të varur nga inputet materiale, në linjë me praktikat e ekonomisë qarkulluese dhe standardet e Bashkimit Europian. /ekofin.al


1 Comment
Pingback: INSTAT: Ekonomia shqiptare me më shumë konsum burimesh – Mjedisi Sot