Rritja e çmimit të banesave është një fenomen që po ndodh thuajse në të gjitha vendet ballkanike. Diku më shumë, diku më pak, m2 i apartamenteve tashmë vështirë të gjendet nën 1000 euro. E ndërsa në Shqipëri, “gara e çmendur” e çmimeve vazhdon, me vlerat që kanë arritur në qendër të Tiranës dhe në zonën e Ish-Bllokut deri në 5 mijë euro për m2, Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë një nismë konkrete për të frenuar rritjen e çmimeve të privatit.
Në këtë vend ka nisur tashmë shitja e banesave shtetërore tregtare, me një çmim prej 1000 euro për metër katrorë. Bëhet fjalë për hapin e parë të përpjekjeve të autoriteteve për uljen e çmimeve të larta të pronave të paluajtshme. Qëllimi i kësaj nisme është që të ndërhyhet në tregun imobiliar dhe banesat të jenë shumë më të pranueshme për qytetarët.
Nga Ndërmarrja Publike për Menaxhim me Hapësira Banesore dhe Afariste thonë se çmimi fillestar është 30%-40% më i ulët sesa çmimet e tregut dhe se në këtë mënyrë do t’i vendoset fund shantazhit të ndërtuesve që shesin me çmime të papranueshme për standardin e qytetarëve te Maqedonisë.
Manastiri është një prej qyteteve ku ka kërkesë të lartë për banesa dhe aty ka nisur këtë javë edhe shitja e banesave shtetërore me çmime preferenciale. Më pas, në Shkup do të ndërtohen 4 ndërtesa komerciale shtetërore, ndërsa në Ohër dhe Shtip nga një.