Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka hapur procedurën e tenderit për ngritjen e sistemit ACRIS (Albanian Current Research Information System), një platformë kombëtare për menaxhimin elektronik të të dhënave kërkimore, titujve akademikë dhe revistave shkencore që botohen në Shqipëri.
Fondi limit i kontratës është 250 milionë lekë pa TVSH (rreth 2.57 milionë euro), i ndarë në 166.6 milionë lekë për implementim dhe 83.3 milionë lekë për mirëmbajtje. Kohëzgjatja e kontratës është 9 muaj implementim dhe 24 muaj mirëmbajtje nga nënshkrimi.
Platforma ACRIS do të shërbejë si një qendër e unifikuar për regjistrin elektronik të titujve akademikë, gradave shkencore, revistave shkencore dhe projekteve kërkimore të financuara.
Ajo synon përditësimin në kohë reale të bazës kombëtare të të dhënave për kërkimin shkencor; rritjen e transparencës dhe aksesit për studiuesit, institucionet e arsimit të lartë, politikëbërësit dhe publikun; automatizimin e vetëdeklarimit të aktivitetit shkencor nga stafi akademik; integrimin me platformën e-Albania për ofrimin e shërbimeve digjitale si certifikata, verifikime dhe aplikime me vulë elektronike; gjenerimin automatik të statistikave dhe raporteve analitike për politika të bazuara në të dhëna; si dhe ndërlidhjen me sisteme të tjera kombëtare si U-CRIS, SMIAL, AMS.
Rezultatet e pritura përfshijnë kalimin nga regjistrat fizikë në një sistem elektronik të centralizuar, përmirësimin e cilësisë së të dhënave, krijimin e një mekanizmi automatik për vlerësimin e institucioneve kërkimore dhe rritjen e vizibilitetit ndërkombëtar të kërkimit shkencor shqiptar.
Ky projekt, sipas AKSHI-t, do të përafrojë menaxhimin e kërkimit shkencor në Shqipëri me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian, duke garantuar disponueshmërinë, integritetin dhe konfidencialitetin e informacionit. /ekofin.al
