Banka Qendrore Europiane (BQE) ka rritur normat e interesit për herë të parë pas gati tre vitesh, duke e çuar normën e depozitave nga 2% në 2.25%, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të zhvilluar të enjten.
BQE përcakton politikën monetare të eurozonës përmes tre normave kryesore të interesit, ku norma e depozitave shërben si treguesi kryesor i politikës monetare.
Norma e depozitave ishte rritur për herë të fundit në shtator 2023, kur arriti kulmin në 4%, në kuadër të ciklit të shtrëngimit monetar që synonte frenimin e krizës inflacioniste pas pandemisë.
BQE rriti gjithashtu normën e operacioneve kryesore të rifinancimit në 2.4% dhe normën e huadhënies margjinale në 2.65%.
Rritja e normave përfaqëson një kthesë të qartë nga politika lehtësuese që karakterizoi pjesën më të madhe të vitit 2025. Inflacioni në eurozonë arriti në 3.2% në muajin maj, niveli më i lartë që nga shtatori 2023, i nxitur kryesisht nga një rritje prej 10.9% e çmimeve të energjisë.
Në thelb, Këshilli Drejtues arriti në përfundimin se mosveprimi nuk ishte më një opsion i pranueshëm.
Përpara mbledhjes së së enjtes, tregjet financiare e kishin parashikuar pothuajse me siguri rritjen e normave, pasi anëtarët e Këshillit Drejtues kishin sinjalizuar një lëvizje të tillë në qershor, si nga krahu më “agresiv” ashtu edhe nga ai më “i kujdesshëm” i politikëbërësve.
Ekonomia e eurozonës nën presion
Rritja e normave vjen në një moment të vështirë për ekonominë e eurozonës.
Ekonomia e bllokut u tkurr me 0.2% në tremujorin e parë të vitit 2026, duke shtyrë ekonomistët të paralajmërojnë për një periudhë stagflacioni – kombinim i rritjes së dobët ekonomike me inflacion të lartë dhe përkeqësim të besimit.
Sipas Anketës së Parashikuesve Profesionalë të BQE-së, rritja ekonomike e eurozonës për vitin 2026 pritet të jetë vetëm 0.9%, një ulje e parashikimeve që i atribuohet drejtpërdrejt ndikimit negativ të çmimeve më të larta të energjisë, të shkaktuara nga lufta me Iranin.
Inflacioni u rrit në 3.2%, niveli më i lartë që nga viti 2023, ndërsa inflacioni bazë – që përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë – u rrit nga 2.2% në prill në 2.5% në maj. Kjo dobëson argumentin se presionet inflacioniste janë të kufizuara vetëm tek energjia.
Për familjet dhe bizneset në 21 vendet e eurozonës, vendimi do të përkthehet në kosto më të larta huamarrjeje për kreditë hipotekore dhe huatë për bizneset, në një kohë kur fuqia blerëse po goditet tashmë nga çmimet e larta të karburanteve dhe gazit.
Tregjet po vlerësojnë gjithashtu rreth 50% mundësi për një tjetër rritje të normave në shtator, çka sugjeron se lëvizja e së enjtes shihet si fillimi i një cikli të ri shtrëngimi monetar dhe jo si një ndërhyrje e vetme. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

