Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” përcaktojnë detyrimin që çdo individ që ka realizuar të ardhura bruto mbi 1,2 milionë lekë në vitin 2024, nga të gjitha burimet, të plotësojë deklaratën vjetore të të ardhurave personale (DIVA) brenda datës 31 mars të këtij viti dhe ta dorëzojë në sistemin online të tatimeve, e-filing.
Tatimet sqarojnë se një individ është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat tatimore vjetore të tij janë më shumë se 1 200 000 lekë në vit nga të gjitha burimet ose kur është në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr nga punëdhënësit. Ky detyrim, sipas saj, një individi i lind edhe kur është përfitues i më shumë se 50 000 lekëve e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.
Pra, të gjithë ata persona, që vitin e kaluar, kanë pasur një pagë bruto më shumë se 100,000 në muaj, duhet të plotësojnë deklaratën brenda datës 31 mars 2025.
Në DIVA përfshihet deklarimi i të ardhurave bruto nga marrëdhëniet e punësimit ose të ngjashme me to, nga dividenti, qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurive të paluajtshme; interesa bankare etj.
Në rast se nuk do të plotësohet në kohë Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave, ligji parashikon penalitet prej 3 mijë lekë për deklarim të vonuar, si edhe kamatat përkatëse.
Deklarata për të ardhurat e realizuara në vitin 2024 paraplotësohet nga sistemi e-Filing me të ardhurat e deklaruara nga paga, në çdo listëpagesë ku individi është i regjistruar si i punësuar. Deklarata ka të paraplotësuar edhe tatimin e përllogaritur, edhe atë të paguar, si edhe vlerën e detyrimit për t’u paguar, në rast se rezulton që duhet të paguani tatim ekstra.
Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore vitin e shkuar detyrimin për plotësimin e DIVA-s për vitin 2023, e kishin 73,790 individë, nga të cilët 24,224 me të ardhura mbi 2 milionë lekë dhe 49,566 të dypunësuar.
Individët që deklarojnë për herë të parë DIVA-n, fillimisht duhet të regjistrohen elektronikisht në rubrikën e-Filing dhe më pas vijohet me gjenerimin dhe plotësimin e deklaratës duke përzgjedhur vitin 2024. Këtë vit, tatimet vlerësojnë se deklaratën do ta plotësojnë për herë të parë rreth 67 mijë individë. /ekofin.al
